Maqedoni

Automjeti i dyshimtë para Ambasadës amerikane, MPB: Asgjë e dyshimtë në automjet

06.12.2016 16:11

Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar se mbrëmë nga Ambasada amerikane në Shkup është denoncuar një automjet i dyshimtë në parkingun e Ambasadës...

Siç informojnë nga MPB, ekipi i tyre menjëherë është dërguar në terren, ku është bërë verifikimi i automjetit, por nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Po ashtu identiteti i pronarit të veturës është vërtetuar, por policia nuk zbulon detaje, duke e pasur parasysh se bëhet fjalë për të dhëna personale, ndërsa automjeti është marrë për verifikim të mëtejshëm.
 
Edhe nga ana e Ambasadës kanë konfirmuar rastin me anë të një njoftimi. “Kemi kërkuar ndihmë nga MPB-ja dhe njësitë e Ministrisë kanë reaguar në mënyrë adekuate. Automobili është larguar pa incident”,- thuhet në njoftimin e Ambasadës.
 
Nga Ambasada shtojnë se ky rast nuk lidhet me problemet telefonike të cilat i kanë pasur mbrëmjen e kaluar. Ambasada e ShBA-së në Shkup mbrëmë publikoi në rrjetet sociale se linjat telefonike i kanë të ndërprera.
 
"Linjat telefonike të Ambasadës momentalisht nuk janë operative. Nëse e keni urgjent dhe keni nevojë për ndihmë, kontaktoni Qendrën operative të Departamentit amerikan të Shtetit",- thuhet në njoftimin e publikuar në Twiter.
 
Sipas informatave të fundit nga Ambasada, të gjitha thirrjet nëpërmjet operatorëve vendorë dhe të gjitha komunikimet tani mund të bëhen nëpërmjet linjës së Ambasadës, pasi që linjat telefonike tani janë në funksion.
 
GAZMEND KURTISHI