“Aleanca për shqiptarët”: Votat e shqiptarëve, për partitë shqiptare

06.12.2016 16:22

“Aleanca për shqiptarët” ka qëndruar në qytetin e Kumanovës...

“Aleanca për shqiptarët” ka qëndruar në qytetin e Kumanovës, ku para qytetarëve prezantoi platformën e saj politike.

Drejtuesit e partive të koalicionit kërkuan votën për Aleancën, duke premtuar pas 11 dhjetorit barabarësi të plotë të shqiptarëve në çdo sferë. Sipas tyre, vetëm partitë shqiptare mbrojnë interesin shqiptar.

“Çfarë do sot Zaevi? Ka depërtuar në territoret e shqiptarëve. Zaev do të bëjë një parti të re, i do shqiptarët në radhë bashkë me maqedonasit, do votën dhe energjinë tonë që ta shpërndajë e të mos jemi ne liqen për të lëvizur turbinat, që t’i çojmë shqiptarët përpara”,- tha kryetari i UNITETI-t, Gëzim Ostreni.

“Jemi për barabarësi të tërësishme të shqiptarëve, për shtet binacional, për gjuhë zyrtare shqipe në të gjithë shtetin, në institucione, dokumente personale, tërësisht e barabartë me gjuhën maqedonase. Jemi për buxhet me prerje lokale që të mirat e taksave të ndjehen në vendet ku paguhen këto taksa e të ndërpritet eksploatimi i shqiptarëve ndër vite”,- theksoi kryetari i LR-PDSh-së, Ziadin Sela.

Këto zgjedhje janë mënyra për t’i dhënë vendin e merituar Kumanovës, thanë nga “Aleanca për shqiptarët”. (Nexhat Aqifi, TVM2)