Maqedoni
“Ne vendosim”: Qytetarët ankohen për presion nga ana e partive
06.12.2016 16:34
Iniciativa qytetare “Ne vendosim” kan pranuar 30 paraqitje nga ana e qytetarëve, që kanë të bëjnë me lajmërimin e parregullsive dhe presioneve të ndryshme parazgjedhore...

Sipas tyre, shumica e qytetarëve që janë paraqitur në numrin 0800 88 888 kanë lajmëruar për votues fantomë në Listën Zgjedhore.
“Qytetarët na kanë lajmëruar se nuk kishin asnjë informatë për këta qytetarë, mirëpo edhe pas reagimit të tyre deri te KShZ nga ana e këtij institucioni nuk ishte ndërmarrë asnjë veprim dhe këto të dhëna nuk janë fshirë”,- deklaroi Kastriot Memeti nga Iniciativa qytetare “Ne vendosim”.
Po ashtu ka pasur paraqitje edhe për presion nga partitë politike për pjesëmarrje në tubime.
“Kemi pasur informata dhe raste të personave të cilët kanë lajmëruar se kanë presion nga ana e partive politike për pjesëmarrje në tubime të ndryshme politike edhe atë presioni ka ardhur nga persona të punësuar në institucione shtetërore, e madje qëndrojnë lart në hierarkinë shtetërore, me çka kemi keqpërdorim të detyrës zyrtare”,- tha Kastriot Memeti nga Iniciativa qytetare “Ne vendosim”.
Po ashtu nga Iniciativa qytetare “Ne vendosim” thonë se kanë pasur informacione për tentim të blerjes së votave nga parti të caktuara politike. Njëherit ata theksojnë se qytetarët shprehin frikë për paraqitjen e shkeljeve të këtilla, apo kanë frikë të prezantohen në rastet kur i paraqesin shkeljet. Por, nga kjo organizatë shprehin gatishmëri që t’u japin edhe ndihmë juridike qytetarëve për mbrojtjen e votës dhe lirisë qytetare.
GYLTENE SINANI
