Thaçi: Zhvillim ekonomik, përfaqësim të drejtë, amnisti
Partia Demokratike Shqiptare mbrëmë prezantoi platformën zgjedhore para banorëve të Batincës....

Partia Demokratike Shqiptare mbrëmë prezantoi platformën zgjedhore para banorëve të Batincës.
Gjatë fjalimit të tij para banorëve të Batincës kreu i PDSh-së, Menduh Thaçi, premtoi se nëse kjo parti vjen në pushtet do të ketë zhvillim ekonomik më të mirë dhe përfaqësim të drejtë të shqiptarëve në Maqedoni.
“Janë dy ligjet për amnisti që i kemi bërë gati dhe janë të përgatitur mirë, çdo nen tregon se si mbrohet interesi i shqiptarëve. Besoj se faljet e borxheve publike që i kanë shqiptarët ndaj institucioneve do të arrijnë që fillimisht ta shëndoshin ekonominë familjare të kombit tonë. Më pastaj projekti ynë është që zonat ku jetojmë ne t’i bëjmë zona me infrastrukturë të përsosur”,- deklaroi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Thaçi para banorëve të Karshiakës tha se nuk guxon që vota të ndahet, sepse është votë kombëtare. Maqedonasit e kanë marrë seriozisht situatën dhe Gruevski në çdo tubim kërkon 63 deputetë vetëm e vetëm që posti i kryeministrit mos të shkojë në duart e shqiptarëve, por unë premtoj se në qeverinë e ardhshme shqiptarët do të kenë një zëvendëskryeministër i cili do të ketë një të drejtë vetoje, ku asnjë vendim i rëndësishëm i qeverisë nuk do të mund të merret pa pëlqimin e tij, tha më tej Thaçi në tubimet e mbrëmshme.
Kreu i PDSh-së, Thaçi, tha se këto zgjedhje janë me rëndësi të madhe për shqiptarët për shkak se është në pikëpyetje integrimi i vendit në BE dhe NATO. Sipas tij, edhe ndërkombëtarët kanë dhënë mesazhin se kjo është qeveria më e kriminalizuar dhe më e korruptuar që ka pasur ky shtet, prandaj duhet të ikë, por për të ndodhur një gjë e tillë ai kërkoi votën për PDSh-në.
“Ne duhet të votojmë kundër kësaj qeverie, që të jemi bashkë me një rrugë me aleatët tanë të mëdhenj, ShBA-të, Europën, Shqipërinë dhe Kosovën”,- deklaroi Thaçi.
Bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër një, Idriz Orana, tha se “pas 11 dhjetorit do të jemi dora e qytetarëve dhe do të rikthehet nderi, besnikëria, morali dhe imazhi i vërtetë i shqiptarëve”. “Duhet të zgjoheni nga kjo ëndërr e keqe që po zgjat 12 vite pa ndalur”,- tha Orana për të shtuar se PDSh kërkoi besimin dhe votën e banorëve të Karshiakës për t’i thënë STOP BDI-së dhe STOP politikës, e cila ka varfëruar skajshmërisht shqiptarët.
Në këtë tubim mori pjesë edhe Henry Jones - anëtar i Partisë Republikane nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili tha se Amerika është partner strategjik i shqiptarëve dhe bëri thirrje që qytetarët të votojnë opsionin e duhur, që, sipas tij, është Partia Demokratike Shqiptare me në krye Menduh Thaçin. (Sanije Duraku, TVM2)
