Botë

Tërmet në Indonezi, rreth 100 të vdekur, vazhdojnë kërkimet

07.12.2016 10:13

Provinca veriore Aceh në Indonezi u godit nga një termet i fuqishëm nënujor, i cili i mori jetën të paktën 97 personave...

Tërmeti që goditi brigjet e ishullit Sumatra ishte me magnitudë prej 6,5 ballësh dhe shembi dhjetëra ndërtesa, duke shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale.
 
A u përcoll me të paktën pesë goditje të tjera të fuqishme. Por, më e rëndë është humbja e jetës së njerëzve.
 
Qindra dyshohet të kenë mbetur nën rrënoja. Autoritetet indoneziane janë të shqetësuar për rritjen e numrit të viktimave, por paralajmërojnë se nuk ka rrezik për cunami.
 
Agjencia për menaxhim me kriza raporton se në mesin e viktimave ka shumë fëmijë, teksa ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë të kërkojnë të mbijetuar.
 
"Numri i përgjithshëm i të vdekurve deri tani është 97, 73 janë me lëndime serioze, ndërsa 200 të tjerë janë të lënduar më lehtë. Sipas përllogaritjeve, shuma e dëmeve do të vazhdojë të rritet si dhe shumë nga qytetarët janë ende nën rrënojat e ndërtesave. Operacionet e zbulimit dhe shpëtimit janë duke vazhduar punën e tyre”,- deklaroi zëdhënësi i Agjencisë për menaxhim me kriza,
Sutopo Nugroho. 
 
“Gruaja ime është e lënduar, nuk kam ide ku janë fëmijët se ishin në shkollë kur ra tërmeti”,- u shpreh banori i zonës, Sulaiman.
 
Spitalet janë mbushur përplot me të plagosur. Zyrtarë lokalë kërkuan ndihmën e qeverisë, pasi që me njerëzit dhe mjetet që kanë në dispozicion nuk mund të përballojnë krizën. Shumë zona pranë provincës më të prekur janë boshatisur, pasi banorët kanë lënë shtëpitë e tyre nga frika e lëkundjeve të tjera. 
 
Indonezia shtrihet në unazën e zjarrit, në vijën ku ka tërmete të shpeshta dhe shpërthimeve vullkanike në Paqësor. Ishulli i Sumatrës është goditur nga disa tërmete gjatë këtij viti. Në vitin 2004, provinca Aceh u shkatërrua nga cunami, ku 160 mijë njerëz mbetën të vdekur vetëm në Indonezi.
 
GAZMEND KURTISHI