Maqedoni

KShZ: sot votojnë anëtarët e këshillave zgjedhorë

07.12.2016 12:05

Në hapësirat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor po zbatohet votimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit për anëtarët e këshillave zgjedhorë të diasporës...

Votimi ka filluar në orën 7 të mëngjesit dhe do të zgjasë deri në orën 19:00, ndërsa të drejtë vote kanë 325 anëtarë të këshillave zgjedhorë që do të realizojnë zgjedhjet në diasporë.

Për votim në diasporë në KShZ janë paraqitur 20.573 qytetarë, të cilët kanë mundësi të zgjedhin tre deputetë të diasporës.

Të drejtën e votës jashtë vendit shtetasit e Maqedonisë do të mund ta realizojnë në 46 përfaqësitë diplomatike konsullare dhe zyrat konsullare.

Votuesit në diasporë votojnë një ditë para zgjedhjeve, përkatësisht të shtunën, më 10 dhjetor, prej orës 7:00 deri në orën 19:00, sipas kohës lokale.

Të shtunën, gjithashtu, duhet të votojnë edhe 13 persona të zhvendosur në brendësi, 2015 persona të cilët janë në paraburgim apo në burg, të sëmurë dhe të pafuqishëm që janë paraqitur për të votuar.

Ndërsa në listën zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të regjistruar për votim janë gjithsej 1 milion e 784 mijë e 416 shtetas të moshës madhore.