Botë

Kotzias: Greqia kushtëzon rrugën europiane të Shqipërisë

07.12.2016 12:23

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka paralajmëruar se Greqia ka pesë parakushte bazë që Shqipëria të mund të vazhdojë...

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka paralajmëruar se Greqia ka pesë parakushte bazë që Shqipëria të mund të vazhdojë në procesin e mëtejshëm të integrimit europian.

Si prioritare ai ka theksuar forcimin e mbrojtjes së të drejtave të minoritetit grek që jeton në Shqipëri, çështjen e pronave të minoritarëve atje dhe veçanërisht atë të pronave të Kishës Autoqefale Shqiptare.

Kjo deklaratë e Kotzias u bë në përgjigje të pyetjes që ish-ministrja e Jashtme, Dora Bakojanis, kishte bërë në hulumtim të qëndrimit të qeverisë greke në samitin e ardhshëm të Bashkimit Europian, ku pritet të vendoset data për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në BE.

Me këtë rast, Kotzias nënvizoi se konkluzionet e komisionit për progresin e shënuar në Shqipëri nuk janë të detyrueshme për Këshillin e Europës, i cili është dhe organi që mbikëqyr dhe vendos në mënyrë unanime për çdo stad të procesit të zgjerimit europian dhe jo raportet e progresit të komisionit, të cilët nuk detyrojnë në asnjë shkallë Këshillin Europian.

Kotzias shton se si rezultat i angazhimeve intensive të Athinës janë arritur formulime veçanërisht të rëndësishme në konkluzionet e organit kompetent, siç është Këshilli i çështjeve të përgjithshme të Bashkimit Europian dhe aq më tepër në tezat e përbashkëta të Bashkimit Europian për Këshillin e Asocim-Stabilizimit të Bashkimit Europian, që është edhe organi më i lartë përgjegjës për dialogun BE-Shqipëri për hapjen e negociatave të integrimit.