Botë
NATO dhe BE, epokë të re të bashkëpunimit
07.12.2016 12:40
NATO-ja dhe Bashkimi Europian mbrëmë e kanë paralajmëruar një “epokë të re të rëndësishme” të punës së përbashkët...

NATO-ja dhe Bashkimi Europian mbrëmë e kanë paralajmëruar një “epokë të re të rëndësishme” të punës së përbashkët, duke e mbështetur agjendën e bashkëpunimit më të afërt në periudhën e paqartësive lidhur me politikën e jashtme dhe qasjen ndaj aleancës të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.
Ministrat e jashtëm të vendeve të NATO-s në takimin në Bruksel janë pajtuar për planin për luftimin e sulmeve kibernetike, luftën informative, operacionet detare dhe përmirësimin e mbrojtjes për vendet fqinje.
“Sot ne e fillojmë një epokë të re në bashkëpunim BE-NATO”,- u tha gazetarëve shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Donald Trump, i cili e merr presidencën amerikane më 20 janar të vitit të ardhshëm, më herët, këtë vit, ka sugjeruar se Shtetet e Bashkuara ndoshta nuk do t’i mbrojnë anëtarët e NATO-s nga sulmet nëse ata nuk i rrisin shpenzimet ushtarake në aleancë.
Por, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenbeerg, tha mbrëmë se është “absolutisht i sigurt se Shtetet e Bashkuara do të mbesin të përkushtuara për lidhjen transatlantike, do të mbeten të përkushtuara për NATO-n dhe do të veprojnë në harmoni me garantimet e sigurisë për Europën”.
Duke folur pas takimit të tij me kolegët e vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, tha se “ndryshimi në administratë nuk do ta ndryshojë përkushtimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për obligimet ndaj NATO-s”.
