Maqedoni
Gruevski: Vota juaj, për vazhdimin e projekteve tona
07.12.2016 14:58
Koalicioni “Për një Maqedoni më të mirë”, i kryesuar nga VMRO-DPMNE, mbajti mbrëmë tubim para banorëve të Dellçevës...

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, tha se e diela është dita kur në Maqedoni do t’i jepet fund krizës, duke i mundësuar vendit të ecë përpara. Vota juaj do të mundësojë realizimin e projektit realisht, tha Gruevski. Ai premtoi ndërtimin e rrugëve të reja, investime në rekonstruimin dhe ndërtimin e rrugëve rajonale, subvencione për bujqit dhe zonë industriale në Dellçevë.
“Në programin e ri "Realisht" të Koalicionit "Për një Maqedoni më të mirë" janë planifikuar 600 milionë euro për bujqit, apo në vit nga 150 milionë euro për bujk, si dhe rritje të subvencioneve për blerjen e makinerisë bujqësore. Do të ndërtojmë gjashtë rrugë të reja në Maqedoni dhe do të investohen 140 milionë euro në rekonstruimin dhe ndërtimin e rrugëve rajonale, si dhe 30 milionë euro për rrugë lokale. Në vendbanimet në Dellçevë do të realizohet projekti i ri për zona zhvillimore rurale, i cili do të sjellë punësime të reja dhe zhvillim ekonomik lokal të komunës. Faza e parë e ndërtimit të zhvillimit të zonës teknologjike industriale në Dellçevë është e përfunduar, ndërsa me investimin e parë në zonë do të pasojë dhe faza e dytë për përfundimin e saj”,- theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Bartësi i listës së kandidatëve në njësinë e tretë zgjedhore, Ilija Dimovski, theksoi se me projektet e mëdha infrastrukturore do të korrigjohet padrejtësia e madhe historike ndaj Maqedonisë lindore në krahasim me Maqedoninë perëndimore.
“Është afër përfundimit ndërtimi i autostradës nga Velesi deri në Shtip, mbi 60 për qind është e ndërtuar autostrada prej Shkupit në Shtip. Kam kënaqësinë t’ju informoj se shteti ka bërë marrëveshje për fillimin e ndërtimit të rrugës Shtip- Koçani, që do të jetë në në një rrugë të re dhe do ta përmirësojë komunikimin në lidhje me Maqedoninë qendrore”,- theksoi bartësi i listës së kandidatëve në njësinë e tretë zgjedhore, Ilija Dimovski.
Në programin "Realisht" për Dellçevën është paraparë gazifikimi, theksoi kandidatja për deputete nga Dellçeva, Millka Hristova. Ajo tha se do të bëhet ndërtimi i stacionit të ri për ujë të pijshëm, ndërtimi i qendrës për skijim në Gollak, ndërtimi i një kopshti të ri për fëmijët, ndërtimi i rrugëve të reja lokale Dellçevë –Trabotivishte, sjelljen e pajisjeve më të reja mjekësore për shtëpinë e shëndetit etj.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, njëherit vizitoi edhe Berovën dhe paralajmëroi hapjen e zonave rurale zhvillimore në këtë qytet. Ai theksoi se vetëm me sjelljen e investitorëve, investimeve në kapacitete të reja industriale dhe punësime të reja mund të arrihet rritje e pagës minimale dhe mesatare.
“Këtu planifikohet secili që do të fillojë me investime të ndihmohet nga shteti, të lirohet 100 për qind nga tatimi i fitimit dhe tatimi personal i të ardhurave dhe 50 të lirohet nga pagesa e kontributeve, 10 për qind nga investimi i tij të bashkëfinancohet nga qeveria, për çdo vend të ri pune do të marrë nga dy mijë euro mbështetje nga shteti, ndërsa nëse punëson person të falimentuar katër mijë euro",- tha Gruevski.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
