Maqedoni
Zaev: Kush i kërcënon votuesit, do të dënohet
07.12.2016 15:31
Koalicioni i udhëhequr nga LSDM, mbrëmë prezantoi programin "Plani për jetë në Maqedoni" në qytetin e Kumanovës...

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, theksoi se për pesë ditë do të fitojnë qytetarët. Sipas tij, Kumanova një dekadë të tërë është harruar nga pushteti qendror dhe ai premtoi kompensim të gjithçkaje që është humbur, që Kumanova e meriton dhe nuk e ka marrë nga qeveria aktuale.
Ai ftoi qytetarët të votojnë pa frikë dhe të lajmërojnë nëse dikush i kërcënon apo u kërkon tua blejë votën. “Ata që pengojnë qytetarët që lirshëm të vendosin për kë do të votojnë do të dënohen”,- tha Zaev.
“Kumanova çdoherë ka qenë simbol i bashkëjetesës. Krenohem me ju për unitetin, për bashkëjetesën. Dëshiroj të shpreh respekt për atë çka Kumanova e ka bërë për Maqedoninë më 9 dhe 10 maj 2015. Ky unitet është energjia jonë, e ardhmja dhe suksesi. Qyteti i Kumanovës tani është bërë i njohur nga “Lagjja e Trimave”. Ju premtoj se e vërteta për këtë ngjarje do të kuptohet përmes hetimit ndërkombëtar. Ne luftojmë për zgjedhje korrekte, të besueshme dhe demokratike. Ata e dinë që po humbin dhe ka mundësi të përpiqen t’ju frikësojnë, t’ju kërcënojnë, t’ju vënë kundër njëri-tjetrit. Nuk luftuam kot dy vite. Populli duhet t’i ketë zgjedhjet më demokratike deri tani. Duhet të shprehë lirshëm vullnetin e tij. Ata që ju frikësojnë e kërcënojnë, që e blejnë popullin, të gjithë ata duhet të përgjigjen para ligjit dhe ligji është i qartë, për të tillët ka vetëm 3-5 vite burg. Mos t’ju shkojë ndërmend të kërcënoni apo blini popullin, sepse siç, thotë Gjeorge Ivanov, pas datës 11 vjen data 12, dhe më 12 dhjetor Gruevski nuk do jetë kryeministër, kryeministër do jetë Zoran Zaev”,- u shpreh kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Bartësi i listës në njësinë zgjedhore dy, Oliver Spasovski, para banorëve të Kumanovës tha se në 100 ditët e para qeveria e re do ta zgjidh problemin me punëtorët e ndërmarrjeve falimentuese, do ta rritë ndihmën sociale në 12.000 denarë, shëndetësia do të jetë e njëjtë për të gjithë, do të ketë vende të reja të punës dhe drejtësi për të gjithë.
LSDM ka mbajtur tubim edhe në Kriva Pallankë, ku gjithashtu pemtuan se Maqedonisë do t’i kthehet jeta. Më 11 dhjetor qytetarët vendosin për ekzistencën e tyre dhe për paga më të larta, për shkolla më të mira, për shërbim shëndetësor të njejtë për të gjithë. Edhe kandidatët e tjerë për deputetë nga LSDM kërkuan përkrahje nga qytetarët dhe u bënë thirrje që më 11 dhjetor dhe ta rrethojnë numrin katër.
REJHANE BUSHI-METAJ
