Maqedoni
Trajanov: Maqedonia të pastrohet nga politikanët mafiozë
07.12.2016 15:42
“Koalicioni për ndryshime dhe drejtësi” kërkoi mbrëmë votën e qytetarëve në tubimin e mbajtur në Shkup...

Nga ky koalicion u bënë thirrje të gjithë qytetarëve që më 11 dhjetor të dalin të votojnë për ta, sepse “Koalicioni për ndryshime dhe drejtësi” ofron stabilitet dhe kohezion.
“Ndryshimet në Maqedoni duhet të fillojnë së pari me pastrimin e vendit nga politikanët mafiozë me të vetmin qëllim, që të lirohemi nga regjimi i kriminalizuar dhe të bindim qytetarët se ligjet vlejnë për të gjithë njësoj. Angazhohemi për ndryshime sistemore. Gjithashtu në platformën tonë një ndër prioritetet është edhe integrimi i vendit në strukturat euroatlatike”,- deklaroi kryetari i Lidhjes Demokrate, Pavle Trajanov.
Trajanov gjithashtu theksoi se një ndër prioritetet kryesore të “Koalicionit për ndryshime dhe drejtësi” është sistemi i shëndetësisë, i cili mundëson shërim universal për të gjithë qytetarët, por edhe për ata që nuk kanë sigurim shëndetësor, duke formuar fonde të posaçme për një kategori të qytetarëve, rritje të kualitetit në shërbimet shëndetësore, hapje të barnatoreve dhe të ambulancave në të gjitha vendbanimet për ta sjellë shërbimin shëndetësor më pranë qytetarit.
REJHANE BUSHI-METAJ
