Komisioni për anti-korrupsion nis procedurë për punësimet gjatë fushatës
Komisioni anti-korrupsion do të kërkojë informacione shtesë për konkurset e punësimeve të publikuara...

Komisioni anti-korrupsion do të kërkojë informacione shtesë për konkurset e punësimeve të publikuara gjatë fushatës në Ministrinë e Drejtësisë, Postën e Maqedonisë, Shkollën Fillore “Strasho Pinxhur” në komunën e Karbincit dhe në Teatrin për fëmijë dhe të rinj.
Ankesat për punësime gjatë fushatës janë dorëzuar nga Koalicioni i kryesuar nga LSDM, sipas të cilit është shkelur neni 9 i Kodit zgjedhor. Bëhet fjalë për punësimin e gjashtë noterëve në Ministrinë e Drejtësisë, një nëpunësi në postë, arsimtarit të gjuhës turke në Karbinci dhe dy aktorëve në teatër.
“Në lidhje me këtë ankesë është e rëndësishme të theksoj se parashtruesi kërkon nga ne si institucion kompetent të ndërpresim procedurën ose t’u dorëzojmë sqarim për shpalljen e këtyre konkurseve me urgjencë”,- deklaroi anëtarja e Komisionit anti-korrupsion, Zhaklina Adamçevska.
“Ankesa është kundër Shkollës Fillore “Strasho Pinxhur” në Karbinci. Parashtruesi konsideron se me këtë konkurs të dorëzuar në fotokopje janë shkelur dispozitat ligjore”,- theksoi anëtarja e Komisionit anti-korrupsion, Najde Spasevski.
Komisioni anti-korrupsion vendosi që për këto raste të kërkohen informacione shtesë, gjegjësisht se punësimet kanë qenë të patjetërsueshme dhe pse nuk janë shtyrë. Anëtarët e Komisionit anti-korrupsion refuzuan ankesën deri tek Komisioni për angazhimin e administratorëve për tekonologji informatike. Nga komisioni thonë se për rastin në fjalë janë siguruar mjete financiare nga Ministria e Financave para se të shpallen zgjedhjet. (Meral Ismaili, TVM2)
