Maqedoni
Zgjedhjet 2016, votuan 325 anëtarët e këshillave zgjedhorë të diasporës
07.12.2016 16:34
325 anëtarët e këshillave zgjedhorë të diasporës janë të parët që votuan për zgjedhjet e 11 dhjetorit...

Ata shfrytëzuan të drejtën e votës në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe prej tani do të përqendrohen vetëm në zbatimin e votimit në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Maqedonisë në botë. Për votimin e diasporës janë paraqitur gjithsej 20.573 qytetarë, të cilët do të mund votojnë në 46 përfaqësi diplomatike dhe zyra konsullore.
Më shumë të paraqitur për të votuar ka në Bernë, në Venecia, Detroit, Nju Jork dhe Melburn. Më pak të paraqitur, gjegjësisht nën 15 votues ka në Madrid, Pekin dhe në Varshavë. Votuesit në diasporë votojnë një ditë para ditës zyrtare të zgjedhjeve.
Tashmë KShZ i ka bërë të gjitha përgatitjet që votimi të shkojë si duhet edhe në diasporë edhe brenda vendit. Ekstraktet e listës së zgjedhësve janë shtypur, kontrolluar dhe nënshkruar nga të gjithë anëtarët e KShZ-së.
Fletëvotimet do të dorëzohen te komisionet komunale zgjedhore më së voni deri të premten. Për herë të parë në këto fletëvotime, krahas emrit të votuesit do të jetë edhe fotografia e tij e marrë nga të dhënat e databazës së MPB-së, në mënyrë që të zvogëlohet deri në maksimum mundësia eventuale e keqpërdorimit të votës.
GAZMEND REXHEPI
