Ahmeti: Shqiptarët të unifikohen e të mos e përçajnë votën

07.12.2016 17:49

E sotmja ka shumë dallim nga e kaluara....

“E sotmja ka shumë dallim nga e kaluara, shqiptarët tanimë ndihen të sigurt në vendin e tyre, gëzojnë të drejta të shumta”,- tha mbrëmë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, në tubimin para banorëve të Kërçovës. 

Sipas tij, të gjithë këto punë janë bërë falë politikave të mirëplanifikuara të BDI-së. Ahmeti tha se shqiptarët duhet të unifikohen dhe mos ta përçajnë votën.

Sipas tij, çdo votë që do të bëhet për partitë oponente të tij do të shkojë në dëm të shqiptarëve dhe do të defaktorizon shqiptarët e Maqedonisë. Lideri i integristëve, Ali Ahmeti, kërkoi votën për BDI-në, pasi që, sipas tij, subjekti që ai drejton është një forcë mirë e organizuar dhe me kuadro të kualifikuar, të cilët dinë se si t’i mbrojnë dhe t’i avancojnë të drejtat e shqiptarëve.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, para kërçovarëve tha se “BDI është vlerë kombëtare dhe kjo vlerë duhet ruajtur e trashëguar nga brezat që vijnë, pasi në këtë parti militojnë njerëz të cilët kanë dhënë shumë për këtë vend. Ai tha se “unë nuk ndjej asnjë shqetësim dhe frikësim se mund dikush të fitojë BDI-në”, pasi, sipas tij, “fitorja më datën 11 dhjetor është e padiskutueshme”.

“Unë nuk po flas si kryetar, por si shqiptar. Pse duhet votuar, pse duhet përkrahur lista, njerëzit të cilët e kanë vendosur të garojnë BDI-në, pse duhet votuar këtë listë? Kush më fortë, kush më mirë se sa këta djem dhe vajza që janë të rreshtuar në këto lista dinë të mbrojnë kauzën shqiptare, kush më shumë se këta dinë të përballen me palën tjetër dhe karshi palës tjetër të jetë fitimtarë? Këta janë kandidatët e BDI-së që unë do t’i votoj, këta janë kandidatët që kanë bërë dhe do të bëjnë histori, prandaj assesi nuk hezitoj që të votoj dhe të përkrahi këta njerëz, të cilët do të rrisin, do të forcojnë edhe do të çelikosin edhe identitetin tim, por edhe dinjitetin tim si shqiptar, prandaj turp u qoftë atyre që shajnë këta djem që kanë ndërtuar jo tani, por edhe më parë, turp u qoftë atyre që nuk skuqen të shajnë këta djem që ndryshuan histori. Le të shajnë, por thuaje edhe atë që e kanë bërë dhe që kanë lënë gjurmë në histori”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ahmeti nga Kërçova po ashtu përcolli mesazh ndaj VMRO-DPMNE-së, e cila kërkon 63 deputetë, ku tha se njerëzit që drejtojnë BDI-në nuk kanë pasur frikë nga tanket, e lërë më nga mandatet e deputetëve, por, sipas tij, shqiptarët duhet të jenë të bashkuar në realizimin e aspiratave të tyre.

Kërçovarëve iu drejtua edhe bartësi i listës për njësinë e pestë zgjedhore, Agim Shaqiri, i cili tha se arritjet e deritanishme të shqiptarëve të Maqedonisë janë falë politikave të BDI-së dhe Ali Ahmetit. Ai tha se BDI ka ofertë dhe vizion, por sigurisht edhe plane për një ardhmëri më të mirë.

“Komunat e sotme me shumicë shqiptare në Maqedoni janë qëndisur nga strategjitë e liderit të shqiptarëve, Ali Ahmetit. Kjo i kushtoi pak më shumë Uskanës së vet liderit, sepse i dha përparësi Strugës, megjithatë sot, duke u nisur që nga Struga deri në Likovë, të gjitha komunat shqiptare janë të lidhura përmes një autostrade të korridorit 8. Më kujtohet thënia e atëhershme e liderit tonë, Ali Ahmetit, “dua dalje në det”, shumica nuk e kuptuan këtë thënie të liderit tonë, sepse Struga ka liqen, por Struga e ka Qafë Thanën që kalon përmes atdheut tonë në detin Adriatik. Ky është lideri ynë përparimtar dhe i vendosur deri në realizimin e aspiratave tona kombëtare”,- tha bartësi i listës për njësinë zgjedhore pesë, Agim Shaqiri.

Para banorëve të Kërçovës fjalë rasti pati edhe shefi i Shtabit qendror, Bekim Neziri, i cili tha se fotografia që ai sheh në çdo tubim të BDI-së tregon qartë për një fitore historike të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Krerët e BDI-së thanë me tej se do të jenë të përkushtuar që në qeverinë e ardhshme t’i realizojnë pesë përbetimet e tyre, të cilat janë barazia e shqiptarëve në të gjitha fushat, Maqedonia dygjuhësore, mirëqenia sociale dhe ekonomike, vendimmarrja konsensuale, si dhe integrimi i vendit në BE dhe NATO. (Ersan Pajaziti, TVM2)