Botë

Tërmeti në Indonezi, ende vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit

08.12.2016 09:50

vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar nën rrënojat e ndërtesave në provicën Aceh në Indonezi...

Ekipet e emergjencës vazhdojnë të kërkojnë për të mbijetuar nën rrënojat e ndërtesave në provicën Aceh në Indonezi pas tërmetit që i kushtoi jetën të paktën 102 njerëzve. 
 
Dridhja  prej 6,5 ballësh shembi me qindra ndërtesa dhe besohet se shumë njerëz janë ende nën rrënoja. 
 
Mijëra njerëz që humbën banesat e tyre janë strehuar në qendra apo kampe emergjence.
 
Qeveria indoneziane dërgoi pajisje të rënda në zonat e goditura për të ndihmuar në operacione, një ditë pasi autoritetet lokale kërkuan me dëshpërim ndihmë për t’u përballur me situatën. Shumë njerëz në Aceh kanë nevojë për gjëra bazë si ushqime dhe ujë. 
 
Megjithëse autoritetet lajmëruan se nuk ka më rrezik për një cunami, ai i vitit 2004, që vrau 160 000 njerëz në Indonezi, është një kujtim tepër i freskët për banorët e provincës Aceh.
 
Shumë prej njerëzve të strehuar në qendrat e emergjencës thanë se tërmeti i së mërkurës ishte më i fortë se ai i vitit 2004, prandaj pa u siguruar se nuk ka rrezik nuk do të kthehen në shtëpitë e tyre.
 
BELINDA KOKA-ADEMI