Botë
Mes të arrestuarve për terrorizëm në Belgjikë dy kosovarë
08.12.2016 10:07
Autoritetet belge kanë arrestuar tre nga 8 personat e dyshuar për lidhje me terrorizmin në Lindjen e Mesme...

Sipas shtypit britanik, dy prej personave në pranga janë shtetas kosovarë, ndërsa i treti është nga Serbia.
Mësohet se të arrestuarit janë të moshës 20 vjeçare. Akuza e ngritur nga Prokuroria është "pjesëmarrje në aktivitete terroriste".
Ata dyshohet se kanë ndihmuar për rekrutimin e xhihadistëve drejt Sirisë, si dhe kanë mbledhur shuma parash për t’ua dërguar xhihadistëve në Lindjen e Mesme.
Krahas 3 arrestimeve, 5 personat e tjerë të ndaluar që u morën në pyetje, në fund u lanë të lirë.
Kosova po e gjen veten gjithnjë e më shumë të përballur me rrezikun e radikalizmit islamik.
Sipas një artikulli të "Nju-Jork Tajms" në maj të vitit 2016, në total atje janë identifikuar 314 persona që u janë bashkuar radhëve të Shtetit Islamik, përfshirë këtu dy kamikazë, 44 gra dhe 28 fëmijë, i konsideruar ky si numri më i lartë për frymë në Evropë.
Ndërkohë Belgjika konsiderohet si baza evropiane për xhihadistët, pasi sulmet në Paris rezultuan se ishin planifikuar në lagjen “Molenbeek” të Brukselit. Edhe vet kryeqyteti belg u kthye në një skenë të përgjakshme, kur SHI-ja kreu një sulm, në të cilin humbën jetën 32 persona./mia
