Maqedoni
Kasami: askush nuk do të mund të vjedhë votën shqiptare
08.12.2016 14:15
Lëvizja “Besa” mbajti mbrëmë tubim në Gostivar, ku krerët e kësaj partie dhe kandidatët për deputetë prezantuan platformën parazgjedhore...

Para të pranishmëve kryetari kësaj partie, Bilall Kasami, tha se më 12 dhjetor shqiptarët do të zgjohen të çliruar dhe me një shpresë të re për jetë, pasi, siç tha ai, mjekët, afaristët, rinia dhe të gjithë qytetarët tanimë kanë një mburojë, “Rilindjen me BESË”.
“Tanimë e kemi fatin tonë në duart tona. Tanimë këtyre përdhunuesve të votës shqiptare u themi mjaft më, ka kaluar koha e tyre, ka perënduar koha e tyre. Ata nuk janë më ata të cilët do të mund ta vjedhin votën shqiptare. Nuk mund t’i shantazhojnë qytetarët shqiptarë. Jemi këtu që njëzëri, të bashkuar, t’u themi se koha e tyre ka shkuar dhe pas 11 dhjetorit të gjithë këta do të jenë në burgun e Idrizovës”,- deklaroi kryetari i Lëvizja “Besa”, Bilall Kasami.
Të pranishmëve iu drejtua edhe kandidati për deputet nga Gostivari, Fadil Zendeli.
“Partneri maqedonas në koalicion me BDI-në gjithmonë në prag të zgjedhjeve del e kërkon shumicë absolute të deputetëve për t’i realizuar aspiratat e veta dhe gjithmonë i realizojnë aspiratat e tyre. Çka bën partneri shqiptar, vetëm shndërrohet në servil të politikave të VMRO-së dhe interesave maqedonase në këtë shtet”,- theksoi kandidati për deputet, Fadil Zendeli.
Njëherit nga Lëvizja “Besa” premtuan angazhim për arsim më cilësor, shëndetësi më cilësore, rritjen e nivelit të decentralizimit, investime në infrastrukturë dhe sfera tjera që do të ndikonin në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve.
GYLTENE SINANI
