Maqedoni
Në Sllupçan u përkujtua shpallja e zonës së lirë
02.05.2014 18:06
Në Sllupçan të Komunës së Likovës u shënua 2 maji, dita kur para 13 vitesh filloi konflikti i vitit 2001 në Maqedoni...

Në Sllupçan të Komunës së Likovës u shënua 2 maji, dita kur para 13 vitesh filloi konflikti i vitit 2001 në Maqedoni, i cili pas luftës disa mujore u kurorëzua me marrëveshjen e Ohrit.
Organizatori i këtij manifestimi kishte lënë karrige të zbrazëta para skenës, ndërsa secila kishte nga një lule, simbolikë kjo për mungesën e dëshmorëve, ndërsa porositën udhëheqësit e popullit se pozita e tyre është pikërisht në sajë të mungesës së atyre të cilët i kishin karriget e zbrazëta.
Duke evokuar kujtimet e vitit 2001, kryetari i SHVL-UÇK-së, Fazli Veliu, tha se këtu gërshetohet dhembja, loti dhe gëzimi, gërshetohet baroti, por edhe tymi i duhanit.
Kryetari i Komunës së Likovës, Sadullaku Duraku, tha se UÇK-ja dhe popullata e kësaj ane nuk kanë pasur për qëllim sakatosjen e të tjerëve, por tha se UÇK-ja ka luftuar për të drejtat e popullit të vet, nga i cili doli si ushtri.
Ndërsa para të pranishmëve kanë mbajtur fjalime edhe familjarët e dëshmorëve.
Brigada 113 “Ismet Jashari”, komandant “Kumanova”, në vitin 2001 shpalli Karadakun zonë të lirë, duke shënuar kështu edhe fillimin e luftës se Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Në këtë manifestim morën pjesë familjarë të dëshmorëve, të plagosurit e lirisë, veteranët dhe përfaqësuesit e ish-UÇK-së, si dhe personalitete të tjera dhe veprimtarë kombëtarë.
Gazetar: Besim ABDULLAI
