Maqedoni
IRI: rezultati zgjedhor në duart e të papërcaktuarve
08.12.2016 14:27
Raporti i Institutit Republikan Ndërkombëtar, IRI, bazuar në monitorimin e fushatës parazgjedhore...

Raporti i Institutit Republikan Ndërkombëtar, IRI, bazuar në monitorimin e fushatës parazgjedhore, tregon se edhe përkundër anketave të cilat nxjerrin fituese dy partitë qeverisëse, VMRO-DPMNE-në dhe BDI-në, në vend vërehet një pesimizëm i gjerë dhe përqindje e lartë e votuesve të papërcaktuar, të cilët mund të ulin udhëheqjen bindëse të këtyre dy partive në këto zgjedhje pa përjashtuar mundësinë edhe të prishjes së raporteve midis tyre.
Qeveria e ardhshme duhet të ndërmarrë hapa për të rikthyer besimin e qytetarëve në sistemin politik në këtë periudhë dyvjeçare të krizës politike që ka ndikuar negativisht në vetë demokracinë e vendit. Zgjedhjet pritet të stabilizojnë ambientin politik në Maqedoni, thuhet në raportin e IRI-t.
“Zgjedhjet konsiderohen tregues për stabilizimin e krizës në shtet. Misioni i zyrës së OSBE-së ka paraqitur një numër të caktuar ankesash për ushtrim të trysnisë ndaj të punësuarve në sektorin publik që ata të votojnë për parti të caktuara politike, edhe pse atmosfera në periudhën parazgjedhore është e qetë. Përkundër anketave të cilat nxjerrin fitues koalicionin qeverisës, VMRO–DPMNE-në dhe BDI-në, ekziston pesimizëm i gjerë dhe një përqindje e konsiderueshme e votuesve të papërcaktuar të cilët mund të ndikojnë që këto parti të mos udhëheqin bindshëm dhe të prishen raportet midis tyre. Qeveria e ardhshme duhet të ndërmarrë masa për kthimin e besimit në sistemin politik, pasi që besimi në integritetin e demokracisë në Maqedoni në sytë e elektoratit është rrënuar si pasojë e krizës politike dyvjeçare. Pritet që zgjedhjet të stabilizojnë klimën politike në Maqedoni”,- thonë nga IRI.
Sipas IRI-it, të dielën do të votojnë mbi 60% e votues. Instituti Republikan Ndërkombëtar rikujton edhe hulumtimet e prillit të këtij viti, se 44% e qytetarëve të Maqedonisë e shohin papunësinë si problem kryesor, 38% krizën politike, 23% varfërinë, ndërkaq 58% e të anketuarve kanë thënë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar.
MERAL ISMAILI
