Maqedoni

Zaev: më 11 dhjetor votohet për Maqedoninë

08.12.2016 15:01

Koalicioni "Për Maqedoni më të mirë", i drejtuar nga LSDM, mbajti tubim në Butel...

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, potencoi se më 11 dhjetor nuk votohet për partitë politike, por për të ardhmen e Maqedonisë dhe stabilitetin e vendit. Zaev premtoi se në Maqedoni paga mesatare do të jetë 30 mijë denarë, ndërsa paga minimale 16 mijë denarë.
 
“Në këto zgjedhje votohet për paga më të larta, për kompani më të forta vendore, për paratë e qytetarëve, për institucionet në shërbim të qytetarëve, si dhe për drejtësi për të gjithë. Në këto zgjedhje nuk votohet për parti politike, në këto zgjedhje do të votoni për të ardhmen tuaj dhe të ardhmen e Maqedonisë, sepse na duhet ardhmëri stabile. Të gjitha  paratë do t’i drejtojmë kah qytetarët. 140 milionë euro do t’i  fokusojmë në mbështetjen e kompanive vendore në mënyrë që t’u mundësohet  të  përparojnë dhe zhvillohen, për vende të reja pune dhe paga më të larta. Të gjithë do të bëjnë pagesën e taksave të shtetit, ata që nuk përdorin ngrohje qendrore nuk do të paguajnë për diçka që nuk e shfrytëzojnë. Ai që ka më pak do të paguajë më pak. Ndërsa ata që kanë të ardhura më të pakta, nuk do të paguajnë fare. Nëpër  spitale do të ketë trajtim mjekësor pa pagesë për të gjithë qytetarët, do ta heqim participimin. Familjeve pa të ardhura mujore shteti do t’u japë 12 mijë denarë në muaj”,- u shpreh kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Bartësi i listës së kandidatëve të LSDM-së dhe Koalicionit në njësinë e dytë zgjedhore, Oliver Spasovski, para qytetarëve të Butelit tha se këto zgjedhje janë betejë për jete të qytetarëve në Maqedoni, për standard më të lartë jetësor për të gjithë qytetarët, për një të ardhme stabile me njerëz stabilë, duke premtuar rroga më të larta, kthim të TVSh-së për familjet, shëndetësi falas, kthim të tarifës së lirë të energjisë elektrike, vauçerë energjetikë për rrymë dhe pagesë korrekte të shpenzimeve publike.
 
“Ne na nevojitet energji e re, qeveri e re, e cila do të sigurojë jetë për të gjithë, do ta kthejë drejtësinë, do ta rivendosë dinjitetin dhe përparimin në Maqedoni. Andaj të gjithë në mënyrë masovike, me vendosmëri dhe guxim të dalim në vendvotime që ta kthejmë drejtësinë në vend, ta kthejmë jetën në Maqedoni, si dhe të kthejmë paratë e qytetarëve”,- u shpreh bartësi i listës së kandidatëve të LSDM-së dhe koalicionit në njësinë e dytë zgjedhore, Oliver Spasovski.
 
LSDM premton heqjen e taksës radio-difuzive dhe kthimin e 15% nga DDV-ja në fund të vitit qytetarëve të Maqedonisë.
 
Të gjithë do të jenë përgjegjës sipas ligjit, Maqedonia ka ardhmëri dhe ajo është në unitetin dhe bashkimin tonë, tha Zaev në tubimin në Butel.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI