Maqedoni

Ahmeti: qytetarët të radhiten pas misionarëve

08.12.2016 15:14

Bashkimi Demokratik për Integrim ka vazhduar aktivitetet e saj parazgjedhore në komunën e Çairit...

Gjatë fjalimit para të pranishmëve kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti, ftoi banorët e Çairit që të përkrahin subjektin që drejton ai, pasi që, siç tha ai, BDI është forcë e vetme politike e cila di të përfaqësojë më së miri ata.
 
“Ne na duhet bashkimi që të mund të vazhdojmë misionin tonë”,- tha Ahmeti, duke e cilësuar mandatin e radhës si një nga mandatet më të rëndësishme nga i cili, sipas tij, do të kenë dobi edhe të tjerët.
 
Ahmeti u përqendrua edhe në të arriturat e subjektit që drejton ai gjatë viteve të kaluara. Ai duke iu drejtuar të pranishmëve tha se nuk mund të harrohet flamuri, shtatoret, universitetet, investimet dhe ndërtimi i autostradave. 
 
“Sot, unë flas si shqiptar, sot i drejtohem kombit mbarë: bashkohuni se është mandat vendimtar, është mandat i rëndësishëm për të vazhduar misionin tonë nga i cili mision dobi do të kenë edhe ata që na shajnë. Pavarësisht sharjeve, ofendimeve, njerëzit tanimë duhet të radhiten pas të gjithë atyre misionarëve, pavarësisht që na shajnë, ne askënd nuk shajmë, ne askënd nuk hidhërojmë, ne askënd nuk zemërojmë, sepse zemra jonë rreh si gjaku i gjakut të kombit tonë. Prandaj ne do t’i thërrasim të gjithë ata që sadopak kanë dilemë, le të rreshtohen pranë këtyre misionarëve. Kush mund t’i mbrojë të drejtat më mirë dhe misionin se Ejup Alimi që në rini veshi pushkë e jatagan për të fituar larinë dhe barazinë edhe këta që na shajnë. Si të harrohen të bëmat, të bëma që kanë bërë shqiptarët në Maqedoni që me flamurin kombëtar deri te shtatoret dhe universitetet, projekte të mëdha të rrugëve dhe hapin e mbarë të investimeve. Prandaj, vëllezër dhe motra, thërrisni të gjithë, le të vijojnë me ne, të vazhdojmë misionin, të vazhdojmë punët e mbara”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
 
Ahmeti, duke folur para banorëve të Çairit, tha se për të vazhduar misionet e filluara nevojitet dije dhe guxim, të cilat, sipas tij, nuk i mungojnë Bashkimit Demokratik për Integrim. Ai duke ftuar elektoratin e Çairit për të votuar kandidatët e BDI-së tha se ata janë njerëzit që dinë më së miri të mbrojnë të drejtat e tyre. 
 
Ndërkohë, bartësi i listës në njësinë e dytë zgjedhore, Ejup Alimi, para banorëve të Çairit tha se BDI është mbrojtësi i vetëm i çështjes shqiptare në Maqedoni. Ai u shpreh i bindur se BDI do të sigurojë fitore për të realizuar projektet e brezave të rinj.
 
Alimi ftoi elektoratin që të mobilizohet për të kërkuar votën e shqiptarëve, pasi mandati i ardhshëm, siç tha ai, me vete sjell sfida të reja që duhet të zgjidhen.
 
“Puna jonë është të fokusohemi në forcimin e bërthamës së shëndoshë kombëtare me plane, projekte dhe rini të shëndoshë, e cila pas 11 dhjetorit do të marrë në dorë flamurin e fitores dhe flamurin e përgjegjësisë për realizimin e programit të BDI-së. Vetëm ky program siguron barazi kombëtare dhe zhvillim të barabartë ekonomik për shqiptarët e Çairit, Shkupit, Haraçinës, Likovës, Kumanovës, Hasanbegut, Butelit dhe gjithë vendeve tjera. Të nderuar të pranishëm, në këtë ditë të fundit të fushatës parazgjedhore të gjithë duhet të bëhemi një, të mobilizohemi si kurrë më parë për të kërkuar votën e çdo shqiptari”,- tha bartësi i listës në njësinë e dytë zgjedhore – BDI, Ejup Alimi.
 
Para të pranishmëve foli edhe bartësi i listës në njësinë e parë zgjedhore të BDI-së, Artan Grubi. Duke ftuar elektoratin që të mbështesin kandidatët e BDI-së, Grubi mes tjerash tha se Ali Ahmeti e bëri shqiptarin e Shkupit të rëndësishëm dhe vendimtarë, duke i mundësuar që ta marrë shtetin në dorën e vet, duke mundësuar mijëra punësime dhe pozita udhëheqëse, duke mundësuar gjuhën shqipe të barabartë dhe zyrtare, duke mundësuar flamurin kombëtar, shtatoret kombëtare, punësime, gazifikim, zona të lira ekonomike, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie shoqërore.
 
“Duke e pasur parasysh rrugën që e kemi ecur bashkë dhe themelet e shtëpisë që e kemi ndërtuar bashkë, është në duart tona që më 11 dhjetor të votojmë për të vazhduar rrugën tonë të përbashkët drejt të ardhmes të sigurt në stabilitet dhe paqe, mirëqenie dhe zhvillim ekonomik. 11 dhjetori është vullneti juaj për bashkim kundër përçarjes, 11 dhjetori është votë e juaja për më shumë punësime, votë për familjen tuaj dhe për të ardhmen e fëmijëve tuaj”,- theksoi bartësi i listës në njësinë zgjedhore një – BDI, Artan Grubi.
 
Ndërkohë, shefi i Shtabit qendror të BDI-së, Bekim Neziri, para të pranishmëve numëroi arsyet se pse ai do ta votojë BDI-në.
 
“Unë si qytetar shqiptar do ta votoj BDI-në me datën 11 dhjetor për disa arsye, pasi BDI-ja ktheu dinjitetin e qytetarëve të Çairit, punësoi mbi 3 mijë qytetarë të Çairit, sepse ëndrrën e Shkupit, Universitetin “Nënë Tereza” e bëri realitet. Ndërsa nuk do t’i votoj ata të tjerët, pasi ata nuk kanë platformë zgjedhore dhe vetëm dinë të fyejnë”,- deklaroi para të pranishmëve shefi i Shtabit qëndor të BDI–së, Bekim Neziri.
 
NAIM RAMADANI