Gruevski: më 11 dhjetor, populli vendos për Maqedoninë
08.12.2016 15:52
Të dielën qytetarët me votat e tyre për Koalicionin "Për Maqedoni më të mirë" do t’i japin fund krizës politike të shkaktuar nga opozita...

Të dielën qytetarët me votat e tyre për Koalicionin "Për Maqedoni më të mirë" do t’i japin fund krizës politike të shkaktuar nga opozita, tha në tubimin në Kumanovë lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili u shpreh optimist për fitore të koalicionit që ai drejton.
Ai para kumanovarëve kërkoi mandat të fuqishëm me 63 deputetë, për shkak se, siç theksoi, nevojitet mandat i fortë për të ruajtur rendin kushtetues në Maqedoni, pasi, sipas tij, LSDM-ja pretendon të kundërtën.
Gruevski premtoi për integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO, pasi që ky është orientimi dhe qëllimi strategjik i vetëm i partisë që ai drejton dhe, sipas tij, këtë askush nuk mund ta ndryshojë.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, potencoi se kjo është garnitura politike e cila i bashkon të gjithë dhe e cila kujdeset për të gjithë, për interesat e përbashkëta shtetërore dhe nacionale.
Ai u zotua se VMRO-DPMNE në periudhën e ardhshme planifikon që të rrisë pagën mesatare, të hapë vende të reja të punës, si dhe të rrisë pensionet dhe ndihmën sociale. Ai paralajmëroi ndërtimin e shkollave të reja, rrugëve, mbështetje për të rinjtë dhe për studentët.
"Më 11 dhjetor do të fitojë Maqedonia, më 11 dhjetor do të fitojnë qytetarët. Populli do të dërgojë mesazh deri te të gjithë se ky popull është pronar i këtij shteti dhe vendos se kush do të fitojë, kush do të jetë kryeministër dhe në cilin drejtim do të ecë Maqedonia. Populli do të votojë për unitet dhe forcim të Maqedonisë, integrimin në BE dhe NATO dhe për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik. Opsioni i cili është i nevojshëm për Maqedoninë janë subvencionet për bujqit, rritja e pensioneve, e ndihmës sociale, rrogave për sektorin publik, forcimi i të gjitha parametrave në mënyrë që vendi të ecë para”,- deklaroi lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Bartësi i listës në njësinë e dytë zgjedhore i Koalicionit "Për Maqedoni më të mirë", Nikolla Todorov, në fjalimin e tij para banorëve të Kumanovës tha se kumanovarët asnjëherë s’kanë qenë dhe s’do të jenë me shpinë të përkulur. Ai porositi kumanovarët që të qëndrojnë me dinjitet dhe heroikisht të kyçen në fushatën për t’i dhënë fund krizës politike.
“Të gjithë bashkërisht të qëndrojmë nën një flamur, të bashkohemi bashkërisht përkrah flamurit maqedonas. Maqedonia është një, të gjithë të dielën të festojmë fitoren”,- tha mes tjerash bartësi i listës në njësinë e dytë zgjedhore, Nikolla Todorov.
“Qëndrojmë para jush me program real dhe me projekte të realizueshme. Me programin e ri zotohemi se do të punojmë që të restartohen kapacitetet e rrënuara, që janë viktimë e tranzicionit, e cila është fytyra e vërtetë e LSDM-së, e cila flet për mënyrën e qeverisjes. Në kuadër të këtij projekti të rëndësishëm do të bëjmë rekonstruimin e autostradës Shkup-Kumanovë dhe rrugës Kumanovë-Sveti Nikollë, linjën hekurudhore në Belakovcë, do të ndërtojmë ujësjellës dhe kanalizime”,- u shpreh bartësi i listës në njësinë zgjedhore gjashtë - VMRO-DPMNE, Nikolla Todorov.
Në tubimin në Kumanovë mbështetjen për Koalicionin "Për Maqedoni më të mirë" shprehi Mishell Voasin nga Partia Republikane e Francës, i cili tha se partia e tij i ndan vlerat e njëjta me VMRO-DPMNE-në, që do të thotë njeriu të jetë në qendër të shoqërisë.
ERSAN PAJAZITI
