Maqedoni
Investimet e huaja, analiza IHHS: marrin miliona nga shteti, punëtorët paguhen pak
08.12.2016 16:17
Qeveria në 9 vitet e fundit ka shpenzuar 159 milion euro për mbështetjen e investuesve të huaj...

Analiza e Institutit për Hulumtime Humanitaro-Sociologjike tregon se në periudhën 2007-2015, 25 kompani të huaja kanë përfituar lehtësira nga qeveria dhe kanë punësuar 12 mijë e 600 persona.
Por, edhe përkundër shumave milionëshe, rrogat e të punësuarve janë të vogla.
Analiza tregon se nëse bëhet një përpjesëtim i thjeshtë i parave që paguhen për këto kompani, shteti ka shpenzuar për çdo të punësuar në to rreth 12 mijë e 600 euro dhe nëse këto mjete do t’u jepeshin drejtpërdrejt punëtorëve, rrogat e tyre do të ishin dyfish më të mëdha.
“Në 9 vitet e fundit janë shpenzuar 159 milion euro për angazhimin dhe mbështetjen e investimeve të huaja. 90 milion euro janë shpenzuar përmes qeverisë, 40 milion përmes Agjencisë për Investime të Huaja dhe të tjerat përmes Drejtorisë për Zhvillim Teknologjik. Mjetet që shteti i ka ndarë për tërheqjen e këtyre kompanive janë më shumë se sa rrogat që të punësuarit i kanë marrë në këtë periudhë. Paga mesatare e të punësuarve në kompanitë e huaja gjatë vitit 2013, 2014 dhe 2015 vazhdimisht është 261 euro, që është 100 euro më pak në krahasim me përqindjen e shtetit për pagë minimale”,- deklaroi Branimir Jovanoviç nga Instituti për Hulumtime Humanitaro-Sociologjike.
Sipas kësaj analize, këto kompani deri tani kanë shënuar 235 milion euro përfitim.
Shteti në të kaluarën i ka mbështetur ato me grande financiare deri më 70 për qind për investimin kapital, ose 70 % për rrogat e të punësuarve.
REXHEP QAMILI
