Thaçi: Rigjykim për rastet e montuara, amnisti fiskale

08.12.2016 17:08

Partia Demokratike Shqiptare me moton “Ecim Drejt”, mbrëmë shpalosi platformën zgjedhore....

Partia Demokratike Shqiptare me moton “Ecim Drejt”, mbrëmë shpalosi platformën zgjedhore për periudhën 2016-2020 para banorëve të Strugës.

Para banorëve të kësaj zone lideri i PDSh-së, Mendu Thaçi, u zotua se nëse arrin ta gëzojë mbështetjen, ai personalisht dhe të gjithë drejtuesit e qeverisë do të përkujdesen që Struga të jetë një qytet i sigurt, i qetë dhe i zhvilluar.

Thaçi theks të veçantë vendosi tek amnistia për të burgosurit në raste të pretenduara si raste të montuara dhe amnisti apo falje të të gjitha borxheve që i kanë shqiptarët ndaj shtetit. Rastet e rënda si “Monstra”, “Sopoti” dhe “Kumanova” do të kthehen në rigjykim atëherë kur do të ketë monitorim nga BE për gjykatësit dhe prokurorët e Maqedonisë.

“Nëse në institucionet tjera me vështirësi konstatojmë 6%, 7% nëpër burgje, mbi 90% janë shqiptarë, kjo është katastrofale, sepse shumë shqiptarë dënohen pa të drejtë në mënyrë drakonike, në vend që të dënohen me rehabilitim risocializim, ata dënohen me disa vite burg, që duhet patjetër të arrihet që ne të krijojmë një sistem kredibil të drejtësisë. Rastet e rënda si “Sopoti”, “Monstra” dhe “Kumanova” të kthehen në rigjykim, por rigjykimi do të bëhet atëherë kur do të bëhet mbikëqyrja e vërtetë e bashkësisë ndërkombëtare për këta gjykatës dhe këta prokurorë të korruptuar. Plani politik i PDSh-së është që ne detyrimisht si shqiptarë duhet ta fitojmë të drejtën e vetos nëpër institucionet e sistemit dhe kjo fillimisht duhet të arrihet në parlament, vetoja do të na mbrojë ne si shqiptarë prej mundësisë që në çdo korridor të pushtetit maqedonasit të na hedhin”,- deklaroi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.

Platforma dhe programi i PDSh-së është platforma kombëtare e shqiptarëve të Maqedonisë, tha Thaçi, për të shtuar më tej se kjo platformë do t’i shtyjë shqiptarët të mendojnë për të gjitha gënjeshtrat që i ka servuar BDI në këto 15 vite qeverisje. Është momenti që BDI të ndëshkohet për mashtrimet që ia ka bërë kombit shqiptar, deklaroi lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi.

“Sa u përket kundërshtarëve politik, unë mendoj se është momenti i volitshëm që ata të ndëshkohen përfundimisht për këtë mashtrim, për këtë gënjeshtër, për këtë përçmim që ia bënë kombit shqiptar. Unë nuk besoj se ka komb që lejon që dikush t’i gënjejë para 2-13 vjetëve apo 15 vjet se erdha ju çlirova dhe ua bëra gjuhën shqipe, dhe prapë e njëjta retorikë pas 15 në viteve në pushtet të përdoret”,- tha kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.

Bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër 5 para simpatizantëve të PDSh-së, Ardian Huseini, tha se këtë fushatë zgjedhore po e karakterizon një konkurrencë shumë e theksuar, pasi qëndrojnë përballë dy pushteteve, por PDSh është e palëkundur dhe ecë drejt. Ai kërkon votën e shqiptarëve për të përforcuar opozitën e vërtetë shqiptare dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.

“PDSh po bën përpjekje të pareshtura për avancimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni. 15 vitet e qeverisjes së keqe kanë rezultuar me shpërnguljen e rinisë nga kjo zonë dhe kjo së bashku me shumë arsye tjera më kanë shtyrë që të angazhohem maksimalisht për të rigjeneruar jetën e qytetarëve tanë në Strugë, Ohër, Resën, Manastir, Dollnen, Krushevë dhe Dibër”, tha Huseini.

“Duke jetuar po në këtë rreth bashkë me ju, e kam ndjerë si përgjegjësi morale për të marrë angazhim politik që të jap maksimumin tim intelektual dhe profesional për të sjellë një të ardhme sa më të mirë për qytetarët. Këto 15 vite të zymta dhe plot mashtrime detyruan rinin shqiptare të shpërngulet larg trojeve tona, e nga ana tjetër në fshatrat tonë po shtrohen trotuare për nxënësit, por është për të ardhur keq kur kujton se sa pak nxënës kanë ngelur dhe besoj se i njëjti fat po i ndjek të gjitha rrethet. Pra, këto që përmenda dhe më shumë arsye të tjera më kanë shtyrë që të angazhohem maksimalisht për të rigjeneruar jetën e qytetarëve tanë në Strugë, Ohër, Resën, Manastir, Dollnen, Krushevë dhe Dibër për të rritur prodhimin vendas dhe për të zhvilluar infrastrukturën rrugore. Më 11 dhjetor kërkoj votën tuaj, besimin tuaj për një jetë më të mirë, duke bërë më pak fjalë e më shumë punë”,- u shpreh bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër 5 para simpatizantëve të PDSh-së, Ardian Huseini.

Lideri i PDSh-së, Thaçi, beson se faljet e borxheve publike që i kanë shqiptarët ndaj institucioneve do të arrijnë që fillimisht ta shëndoshin ekonominë familjare të kombit shqiptar dhe më pas do të angazhohen në parandalimin e diskriminimit ekonomik, i cili, sipas Thaçit, ka bërë që shqiptarët të braktisin vendlindjen për të siguruar kafshatën e bukës.

“Kjo ka qenë për kohën, kokën, mendjen dhe programin e Ali Ahmetit, për PDSh-në dhe Menduh Thaçin, nëse marrim besimin dhe votën tuaj, që në muajin e parë të qeverisjes do të kthehet respekti dhe vlera e kombit shqiptar”,- shtoi më tej Thaçi. (Sanije Duraku, TVM2)