KShZ gati për zgjedhjet e së dielës
Zgjedhjet 2016, 4. 706 vëzhgues do të monitorojnë procesin...

Materiali zgjedhor është gati që të premten të dorëzohet në të gjitha komisionet komunale dhe të shtunën në mëngjes ky material të shpërndahet edhe nëpër vendvotime, informojnë nga KShZ. Votimi do të realizohet në 3.480 vendvotime në shtatë njësi zgjedhore, gjashtë në vend dhe një në diasporë, ku do të votohet nëpër përfaqësitë diplomatike dhe konsullore të Maqedonisë.
Në listën zgjedhore janë 1.784.368 votues. Në këtë proces zgjedhor ka 5 mijë persona më shumë me të drejtë vote se herëve të kaluara. Në rast të thyerjes së rregullave të zgjedhjeve, ligji parashikon dënime të mëdha në para dhe me burg, edhe atë nga 3-6 vite burg dhe 300-1000 euro dënim në të holla.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të ndiqen nga 4706 vëzhgues dhe 354 përkthyes. Në afatin ligjor, deri tek KShZ kanë kërkuar akreditim 4.047 vëzhgues nga vendi dhe 659 vëzhgues të huaj. Sipas të dhënave të publikuara në ueb faqen e KShZ-së, nga vëzhguesit vendor dominojnë vëzhguesit e MOST, të cilët do t’i ndjekin zgjedhjet me 3435 persona në terren. Misioni vëzhgues i OSBNE-ODIHR ka akredituar 280 vëzhgues dhe 230 përkthyes. Të interesuar për zgjedhjet janë edhe 60 gazetarë të huaj. (Ersan Pajaziti, TVM2)
