Zgjedhjet parlamentare, Ivanov fton në pajtim dhe sjellje të përgjegjshme
Presidenti, Gjorge Ivanov, fton të gjithë aktorët politik...

Presidenti, Gjorge Ivanov, fton të gjithë aktorët politik, garues në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që të tregohen të përgjegjshëm.
Sipas tij, deri tani vendi ka dëshmua disa herë se ka kapacitet institucional dhe demokratik për të organizuar dhe zbatuar zgjedhje korrekte dhe demokratike, prandaj ftoi subjektet politike që edhe këto zgjedhje të mbyllen me dinjitet.
“Vetëm me sjellje të përgjegjshme do të krijohet atmosferë në të cilën qytetarët me siguri do të dinë se çdo votë e tyre ka vlerë. Vetëm me sjellje të përgjegjshme do të inkurajohen qytetarët që të dalin dhe të japin votën e tyre për programin dhe partinë që i besojnë me të vërtetë. Vetëm me sjellje të përgjegjshme do të kemi kushte që pranohet dhe përshëndetet vullneti i popullit. Vetëm me sjellje të përgjegjshme në 11 dhjetor do të shënojmë fundin e krizës politike dhe fillimin e pajtimit kombëtar në RM-së”,- deklaroi kryetari i RM-së, Gjorge Ivanov.
Në fjalimin e tij në akademinë solemne me rastin e 8 Dhjetorit - festës kushtuar Shën Klimentit të Ohrit, Ivanov konstatoi se kundërshtarët politik në vend po përjetohen si armiq dhe kjo nuk i kontribuon tejkalimit të krizës dhe pajtimit. Kjo, sipas tij, ndodh për shkak të kriticizmit të tepërt dhe mungesës së autokritikës.
“Edhe pse na ngroh dielli i njëjtë, edhe pse thithim ajrin e njëjtë, edhe pse jetojmë në vend të njëjtë, ne i përjetojmë kundërshtarët politik si armiq. Nuk durojmë mendim ndryshe, ekskluziviteti mbisundoi në marrëdhëniet tona. Është koha që të lëmë pas ndarjet dhe të bashkohemi që përfundimisht të jetojmë në paqe, përparim dhe mirëqenie”,- u shpreh kryetari i RM-së, Gjorge Ivanov.
Gjatë akademisë solemne kushtuar Shën Klimentit të Ohrit, presidenti Ivanov dekoroi klerin, Jovan Takovski, me “Medalje për merita për Maqedoninë”, ndërkaq në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë u nda çmimi shtetëror "Shën Klimenti i Ohrit" për realizime shumëvjeçare në fushën e kulturës dhe arsimit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
