Ndikimi rus dhe turk në Ballkan, Fyle: Brukseli të marrë masa urgjente
Bashkimi Europian është shqetësuar nga roli i Rusisë dhe Turqisë në Ballkanin Perëndimor...

Ish-komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fyle, ka paralajmëruar se Rusia dhe Turqia do të zgjerojnë ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor në qoftë se Brukseli nuk do të angazhohet në mënyrë efikase atje.
Në një audiencë të zhvilluar dje, Fyle theksoi se në qoftë se BE-ja do të ketë distancë në Ballkan, atëherë lojtarë të tjerë gjeopolitikë do të shfrytëzojnë mundësinë për të zgjeruar ndikimin e tyre mbi rajonin.
Ritmi aktual i zgjerimit nuk është i qëndrueshëm, tha Fyle duke iu referuar paralajmërimit të bërë nga presidenti aktual i Komisionit, Jean-Claude Juncker, i cili ka deklaruar se gjatë mandatit të tij nuk do të ketë asnjë anëtarësim të ri.
Rusia dhe Turqia janë duke bërë përpjekje për të përmbushur këtë vakum. Përveç marrëdhënieve të mira me Serbinë, Rusia është përpjekur të ndërhyjë edhe në Mal të Zi për të ndryshuar drejtimin politik atje.
Madje, pak ditë më parë, kryeministri, Edi Rama, deklaroi se nëse Bashkimi Europian nuk lejon zgjerimin, atëherë Rusia do të përfitojë duke ushtruar ndikimin e saj në Ballkan.
Ai i bëri thirrje BE-së që të nisë procesin për integrimin e Ballkanit, pasi rusët dhe islami radikal do të përfitojnë nëse këto shtete të rajonit do të lihen jashtë.
Gjithsesi, Rama deklaroi se nuk do ta përjashtonte një takim me Putinin nëse Rusia do të shtrinte ndikimin e saj në Ballkan.
