Kthimi i europianëve të ISIS-it, shtohet frika për sulme terroriste
Gati gjysma e europianëve të larguar nga Kontinenti i Vjetër për të luftuar në krah të ISIS-it në Siri e Irak janë vrarë ose janë kthyer mbrapsht...

Dokumenti prej 19 faqesh i shefit të anti-terrorit në BE, Gilles de Kerchove, tregon se vetëm 50% e 5000 shtetasve europianë vazhdojnë të mbeten në radhët e militantëve.
Gati 20% e tyre kanë vdekur e 35% të tjerët llogaritet të jenë kthyer tashmë në Europë.
Të kthyerit mund të përbëjnë një kërcënim për sigurinë e vendeve europiane, thuhet në raport.
Edhe pse është shtuar frika se shtetasit europianë mund të ndërmarrin sulme në Europë, raporti thotë se një kthim masiv i tyre konsiderohet i “pagjasë”, pasi ekstremistët ka më shumë mundësi të qëndrojnë e të krijojnë xhepa rezistence.
Luftëtarët e huaj do të vazhdojnë të vdesin në Siri e Irak, sidomos në betejat e Rakës dhe Mosulit, theksohet në dokument.
Aty pohohet po kështu se disa prej këtyre luftëtarëve që kanë marrë me vete familjet duan shumë që të kthehen, por nuk e bëjnë dot këtë, sepse “Shteti Islamik” do t’i konsiderojë “tradhtarë”.
