Maqedoni

Thaçi: kjo është beteja e shqiptarëve, jo vetëm e PDSh-së

09.12.2016 14:01

Partia Demokratike Shqiptare mbrëmë në Tetovë mbajti tubimin qendror ku prezantoi platformën dhe kandidatët për deputetë në 5 njësitë zgjedhore...

Partia Demokratike Shqiptare mbrëmë në Tetovë mbajti tubimin qendror ku prezantoi platformën dhe kandidatët për deputetë në 5 njësitë zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 11 dhjetor.
 
Bartësit e listave për 5 njësitë zgjedhore nga ana e PDSh-së përmendën hallet e shqiptarëve të Maqedonisë dhe se ato mund të shpëtojnë nga kjo gjendje vetëm me platformën e PDSh-së, por nuk ngelen edhe pa përmendur fajtorin kryesor të shqiptarëve në vend, Ali Ahmetin, që, sipas tyre, është arsyeja e vetme që shqiptarët në Maqedoni nuk kanë barazi të plotë me maqedonasit.
 
“Shqiptarët e Shkupit nuk kanë ujë për të pirë, shqiptarët e Shkupit nuk kanë kanalizime, shqiptarët e Shkupit nuk kanë asfaltime, për këtë arsye ju lus që më 11 dhjetor në mënyrë sa më masovike dhe mënyrë festive ta kthejmë krenarinë dhe dinjitetin e çdo shqiptari në Maqedoni”,- deklaroi bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër një nga PDSh, Idriz Orana.
 
“Përshëndetje Zoti Thaçi, Zoti Jones, këta shqiptarët këtu janë shqiptarët e Michinganit që kanë bërë mrekulli në botë dhe atë që thatë ju, pikërisht ky komb ka shqiptarë që në vitet e 40-ta që nuk kanë dorëzuar asnjë hebrej në duart e nazifashistëve. Këta shqiptarë këtu i kanë dhënë shumë civilizimit botëror. Fatkeqësirat kanë filluar kur në skenat politike këtu te ne u instalua lideri me zemër lepuri, Ali Ahmeti, i cili mashtroi popullin kinse po na e sjellë lirinë",- tha bartësi i listës në njësinë zgjedhore numër dy nga PDSh, Orhan Ibrahimi. 
 
“Ju lutem të gjithë studentëve shqiptarë, mësuesve, profesorëve, bujqve dhe tregtarëve shqiptarë, administratorëve dhe policëve shqiptarë që ta votojnë PDSh-në dhe liderin, Menduh Thaçi, sepse kur ta kemi prijës liderin Thaçi do të na kthehet krenaria dhe guximi do të ecim drejt në të gjitha sferat në këtë shtet”,- theksoi bartësi i listës në njisinë zgjedhore numër 3 – PDSh, Sami Rushiti. 
 
“Kjo po që mund të quhet kalaja e pamposhtur e PDSh-së, më lejoni që sonte t’u përshëndes në emër të zonës nr. 5 dhe si strugan t’u tregoj se ne struganët jemi shqiptarët që na njeh historia dhe jo ata që i mashtroi lakmia, ecim drejt me fitore”,- u shpreh bartësi i listës në njësinë zgjedhore nr. 5 –PDSh, Adrian Useini.
 
Përveç kryesisë së partisë në krye me liderin, Menduh Thaçi, të pranishëm ishin Shpëtim Selmanaj nga AAK e Kosovës dhe këshilltari i Thaçit nga Partia Republikane nga ShBA-të, Henry Jones, i cili tha se këto janë zgjedhje historike për shqiptarët e Maqedonisë dhe se ndryshimin për shqiptarët mund ta bëjë vetëm lideri i PDSh-së.
 
Thaçi në ndërkohë theksoi se me ndihmën e Kosovës, Shqipërisë, Amerikës dhe Europës, shqiptarët e Maqedonisë do të fitojnë atë që meritojnë, duke premtuar se çështja e barazisë ekonomike do të zgjidhet si dhe premtoi anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE për vetëm 6 muaj.
 
“Miku ynë nga Amerika tha se zgjedhjet e së dielës janë historike për shqiptarët e Maqedonisë, janë historike sepse ne bashkërisht edhe njëherë do të vërtetojmë në këtë betejë që do ta fitojmë ditën e diel, se jemi komb që i takojmë civilizimit perëndimor, Europës dhe Amerikës. Ne bashkërisht sonte në qendrën, sheshin e Tetovës, po i japim zemër, guxim krejt shqiptarëve të Maqedonisë, ne jemi shumë të fuqishëm, ne kemi Shqipërinë, Kosovën, Amerikën dhe Europën, këta faqezinj, këta që prunë gjendjen e shqiptarëve të Maqedonisë të nënçmuar, të poshtuar, pa bukë, pa idare, ditën e diel e drejta hyjnore që vjen prej Zotit do tua këput këmbët zullumqarëve. Përfundimisht kjo do të jetë fitore e vërtetë e shqiptarëve të Maqedonisë, unë ju premtoj ju se asnjë milimetër nuk do të mbrapsem prej platformës dhe programet e platformës së PDSh-së, ne e kërkojmë hisen tonë në këtë shtet, me tokë, me para, me të drejta, me të gjitha. Unë ju premtoj se nëse ju më mbështetni, gjithë shqiptarët, unë se jap betimin para himnit të maqedonasve… Politika jonë ofron mirëqenie, dinjitet dhe krenari, politika jonë ofron inkuadrimin e Maqedonisë brenda 6 muajve në NATO dhe hapjen e negociatave me Bashkimin Europian brenda 6 muajve. Ju jeni të mrekullueshëm, ky qytet përfundimisht do t’i tërbojë zullumqarët, ky qytet me buxhetin e parë të qeverisë zëvendëskryeministrin që vjen prej këtu do t’i sigurojë 300 milionë euro vitin e parë. Ne do të luftojmë bashkërisht ta pastrojmë ajrin dhe mos lejojmë të ndotet më, nga një qytet me shumë ajër të pastër na sollën në qytetin më të ndotur në botë. Ne do të punojmë që të gjitha mbeturinat e këtij qyteti të vendosen me një vend të duhur, qyteti do te jetë i pastër dhe projekti i PDSh-së do të jetë 2020 të jetë Tetova metropol europian. Të dashur qytetarë, kjo nuk është vetëm beteja e kryetarit të PDSh-së, i shihni kandidatët tjerë, Imer Aliu me Branko Masajllovskin, Bardhyl Dauti me Talat Xhaferin, vlera dhe kualiteti kombëtar është te PDSh. Ne porosisim gjithë shqiptarët që çdo emision që bëjnë, me mijëra anëtarë të BDI-së më thirrin në telefon dhe betohen se do të votojnë për ne”,- deklaroi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
 
PDSh akuzon BDI-në se pse për 15 vite nuk arritën ta zyrtarizojnë gjuhen shqipe, nuk aplikuan asnjë politikë të konsesualitetit, nuk u angazhuan për barazi ekonomike dhe nuk promovuan asnjë politikë për anëtarësim në NATO dhe BE.
 
Gjithashtu premtuan se me ardhjen e tyre në pushtet asnjëherë nuk do të krijojnë distancë në komunikim me qytetarin shqiptar dhe se çdoherë do të jenë pranë halleve dhe brengave të tyre, prandaj kërkojmë votën tuaj që t’u përfaqësojmë denjësisht, si askush dhe asnjëherë më parë.
 
GAZMEND REXHEPI