Maqedoni

Jakupi: Nëse LSDM dorzon mandatet, zgjedhje shtesë për 34 deputet

02.05.2014 18:25

Vendimi për refuzimin e mandateve nga ana e LSDM-së, siç duket do të çojë vendin drejt zgjedhjeve shtesë...

Vendimi për refuzimin e mandateve nga ana e LSDM-së, siç duket do të çojë vendin drejt zgjedhjeve shtesë, por paraprakisht 34 kandidatet e LSDM-së që kanë fituar mandatin e deputetit, për të cilat KSHZ zyrtarisht ndan certifikatë, duhet të deponojnë dorëheqje në Kuvend pasi Komisioni Verifikues paraprakisht të ketë verifikuar mandatet e tyre.  
 
“Nëse ju nuk doni të jeni deputet, ju duhet ta shprehni atë qartë përmes deponimit të dorëheqjes në Kuvend. Në rregulloren e punës së Kuvendit shkruan se dorëheqja duhet të bëhet personalisht, përkatësisht të deponohet në seancën kuvendare dhe të sqarohet, megjithatë kemi pasur edhe shumë situata kur dorëheqja vetëm është deponuar në Kuvend dhe kjo nuk paraqet asnjë problem juridik”, deklaroi profesoresha universitare, Tanja Karakamisheva.
 
Menjëherë pas deponimit të dorëheqjeve, KSHZ duhet të ftojë të gjithë kandidatët e radhës për deputet nga lista e LSDM-së, deri te kandidati i 20-të, nëse e pranon ose jo mandatin për deputet. Por ç’farë ndodh kur edhe kandidati i fundit refuzon mandatin?!
 
Sipas Karakamishevës, pasi të shteren listat, KSHZ është e obliguar të shpallë zgjedhje shtesë, sipas profesorit Mersel Bilalli, këtu ka vakum ligjor.
 
“Ligji nuk ka paraparë variantet politike të problemeve, por vetëm juridike. Pra nëse lista gjithë harxhohet deri në fund dhe asnjëri nuk pranon mandate, atëherë parashtrohet pyetja a duhet sërish të fillojmë nga e para ose të mbajmë zgjedhje. Këtu është vakumi juridik. Kështu që unë nuk mendoj se mund të gjendet zgjidhje juridike pos zgjidhjes politike”, tha profesori universitar, Mersel Bilalli.
 
“Kur edhe i 20-ti, hipotetikisht edhe kandidati i fundit nuk pranon të bëhet deputet, në atë rast KSHZ është e detyruar të shpallë zgjedhje shtesë për ato 34 vende deputetësh në të gjashtë njësitë zgjedhore ku LSDM ka fituar mandate. Në këtë proces zgjedhor për zgjedhje shtesë, marrin pjesë të gjitha partitë politike”, u shpreh profesoresha universitare, Tanja Karakamisheva.
 
Përderisa Bilalli thotë se problemi është politik dhe duhet gjetur zgjidhje politike, profesoresha Karakamisheva vlerëson se LSDM-ja duhet të veprojë si opozitë konstruktive, madje edhe nëse ndodh e kundërta, ajo sqaron se nuk rrezikohen institucionet, ato mund të funksionojnë normalisht, pasi në Kuvend do të ketë 88/9 deputet dhe institucioni ligjvënës mund të funksionojë dhe të miratojë ligje jo vetëm me shumicë të thjeshtë, por edhe me shumicë të cilësuar.
 
Sipas Karakamishevës, problem mund të jetë vetëm perceptimi i Bashkësisë Ndërkombëtare, e cila do të na sheh si vend ku nuk ka opozitë.   
 
SHPËTIM NUREDINI