Maqedoni
Ahmeti: agjenda jonë është agjendë kombëtare
09.12.2016 15:17
Bashkimi Demokratik për Integrim mbajti mbrëmë tubim në qytetin e Gostivarit. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti...

Bashkimi Demokratik për Integrim mbajti mbrëmë tubim në qytetin e Gostivarit. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se subjekti politik që ai udhëheq do të vazhdojë të qëndrojë i palëkundur në bindjet e tij dhe që do të angazhohet në të mirën e qytetarëve shqiptarë kudo që jetojnë në Maqedoni.
Ahmeti gjithashtu tha se ky do të jetë një mandat që kërkon kapacitete në të gjitha fushat, sidomos në ndërtimin e politikave dhe tejkalimit të problemeve që nuk kanë kohë për të pritur.
Nga BDI porosisitën se qytetarët duhet të bëjnë dallime mes programeve që u ofrohen dhe, sipas integristëve, vetëm BDI ka ofruar program serioz me projekte konkrete e me afate realizimi të qartësuara, ndërkohë që partitë e tjera fushatën e kanë përqendruar në sharje dhe ofendime.
“Pasi analizova shumë nga veprimtaritë e partive politike që garojnë në këto zgjedhje, pasi pashë dhe shikova vlerat se me çfarë prezantohen ata, pasi pashë se me çfarë platforme dhe programi duan të garojnë me BDI-në, vlerësova që aty nuk pashë vlera por vetëm se ofendime, vetëm sharje banale që nuk u ngjajnë shqiptarëve, sepse as të edukuar as të rritur nuk jemi ne si komb që të përdorim një vokabular të atillë për shqiptarët. Prandaj vlerësova se jemi të pakonkurrencë si program dhe si kauzë dhe i dhashë urdhër shefit të shtabit qendror që të ndërpriten të gjitha aktivitetet partiake dhe ajo të shndërrohet në agjendë kombëtare, sepse këtë agjendë kombëtare e mbrojnë vetëm bijtë e devotshëm të dëshmuar. Me BDI-në fitojnë edhe ata që s’janë me ne, për shkak se rezultatet tona i shijojnë të gjithë shqiptarët. Fitimtarët dhe guximtarët janë në këtë shesh. Copëzimi i votës shqiptare nuk e dëmton BDI-në, por i dëmton shqiptarët. Mezi pres ditën e diel që t’u tregojmë të gjithëve se si përballen djemtë e BDI-së”,- tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Kandidati për deputet për njësinë e gjashtë zgjedhore, Talat Xhaferi, porositi banorët e Gostivarit që të jenë syçelë dhe të mendojnë dy herë se për kë do të votojnë më 11 dhjetor. Ai u bëri thirrje qytetarëve që bashkë me familjet e tyre në mënyrë dinjitoze të shkojnë dhe të votojnë ditën e diel.
“Shumëkush kaloi përmes këtij sheshi dje, pardje, më parë dhe shumë herë, të gjithë ata kishin vetëm një ofertë para jush, oferta e tyre ishte të rrëzojnë Ali Ahmetin, të rrënojnë BDI-në. Por, harrojnë se ata nuk kanë prodhuar lider si Ali Ahmeti, komandanti dhe lideri i shqiptarëve në Maqedoni… Për BDI-në, për Ali Ahmetit, për deputetët, për funksionarët nuk vendosin kuluaret kudo qofshin, por vendosni ju të nderuar qytetarë, jeni të bashkuar përkrah Ali Ahmetit, tanimë bashkërisht të vendosim kështu të bashkuar ditën e diel, të organizuar familjarisht, në mënyrë dinjitoze dhe festive t’i m’vishemi vendvotimeve tona dhe t’u tregojmë atyre ku e kanë vendin”,- theksoi kandidati për deputet nga BDI, Talat Xhaferi.
Nënkryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Nevzat Bejta, falënderoi pjesëmarrësit në tubim.
“Të gjithë ju, nëna dhe baballarë, vëllezër e motra, ju djem dhe vajza të Gostivarit, sonte na ngarkuat me një përgjegjësi ende më të madhe për të qenë në krye të detyrës, të përkushtuar për të vijuar edhe më tej punët tona në dobi të shoqërisë që i takojmë. Prezenca e juaj kaq madhështore tregoi dhe dëshmoi vlerësimin ndaj punës sonë. Kjo përkrahje na shtyn që të mos ndjejmë as lodhjen më të madhe për të qenë në shërbimin tuaj. Kur puna vlerësohet, kënaqësia është”,- tha Bejta.
Shefi i shtabit qendror, Bekim Neziri, përcolli porosi për kundërshtarët të cilët nuk mund të mbushin asnjë sallë, të njëjtit t’i bashkohen BDI-së për të shijuar fitoren.
“Dëshiroj të bëj një dallim mes ne dhe ata, por jo me platformë zgjedhore. Ata dje në Gostivar nuk mundën të mbushin një sallë, kurse ne sonte mbushëm sheshin e Gostivarit. Ata 150 apo 200 persona që kanë mbetur në Gostivar le të radhiten pas politikave të BDI-së, nëse dëshirojnë të shijojnë fitoren më datë 11 dhjetor”,- tha Neziri.
Nga BDI edhe gjatë tubimit të mbrëmshëm në Gostivar përsëritën qëndrimin se të gjithë ata që nuk ia dëshirojnë të mirën popullit shqiptar, dëshirojnë që ne të jemi të përçarë e të ndarë, prandaj shqiptarët duhet të mobilizohen dhe të gjithë bashkë të votojnë BDI-në dhe me këtë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2014.
GAZMEND REXHEPI
