“Civil”, 104 persona mungojnë në regjistrin votues
Organizata joqeveritare “Civil” sot në KShZ ka paraqitur listën...

Organizata joqeveritare “Civil” sot në KShZ ka paraqitur listën me 104 persona të evidentuar të cilët mungojnë në listën zgjedhore. Kjo organizatë bëri kërkesë që t’u rregullohet e drejta e votës këtyre personave.
Sipas tyre, këta votues nuk janë krejtësisht të fshirë nga lista zgjedhore, por vetëm kanë migruar nga një adresë në tjetrën.
“Pas mbikëqyrjeve në terren dhe në mënyrë kompjuterike, kemi numër të madh të personave të cilët janë fshirë nga lista zgjedhore. Fantomët nuk janë të fshirë, por vetëm kanë migruar nga një adresë në tjetrën. Prej datës 5 deri më 8 dhjetor në “Civil” kanë ardhur më shumë se 600 thirrje prej qytetarëve të revoltuar që nuk mund të gjinden në listën zgjedhore. Ne dokumentuam 104 qytetarë dhe dokumentet do t’i dorëzojmë në KShZ dhe do të kërkojmë që të rregullohet e drejta për të votuar”,- deklaroi Xhabir Derallla nga OJQ “Civil”.
Nga “Civil” kërkojnë që të përfshirët në procesin zgjedhor të garantojnë zgjedhje të drejta dhe të qeta, si dhe të mbizotërojë atmosferë demokratike pa prezencë të dhunës. Ata gjithashtu apelojnë të mos ketë presione dhe të mos frikësohen votuesit. (Ersan Pajaziti, TVM2)
