Zaev: Votojmë për jetën në Maqedoninë tonë

09.12.2016 17:52

Koalicioni “Për jetë në Maqedoni”, i kryesuar nga LSDM, mbajti mbrëmë tubim në Strumicë....

Koalicioni “Për jetë në Maqedoni”, i kryesuar nga LSDM, mbajti mbrëmë tubim në Strumicë. Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, kërkoi mbështetje nga qyteti i cili i ka qëndruar pranë në këto vite dhe nga e gjithë Maqedonia.

“Më lejoni të dërgojmë mesazhe prej këtu, prej Strumicës sime dhe Strumicës suaj, të gjithë atyre që ende frikësohen, heshtin për të mos humbur diçka, ndoshta janë pjesë të garniturave të pushtetit”,- tha Zaev.

“Të respektuar punonjës të administratës publike, ju dhe pranuesit e ndihmës sociale, të subvencioneve, duhet ta dini se të ardhurat tuaja janë garantuar me ligj, nuk i jep as Zaev as Gruevski, këto të ardhura janë nga djersa juaj dhe puna juaj, po ashtu dhe nga taksat e këtij shteti që i paguajnë qytetarët. Mos heshtni, mos rrini në shtëpi pa dhënë kontribut! Kjo Maqedoni është edhe Maqedonia juaj! Keni obligim për shkak të fëmijëve tuaj, sepse ju jeni fëmijë të prindërve tuaj, sepse jeni vëllezër dhe motra të dikujt, xhaxhallarë, halla, daja, teze të disa qytetarëve të Maqedonisë. Dilni dhe luftoni për jetën, lirinë dhe për të drejtën tuaj! Të nderuar gjyshe dhe gjyshër, me stilografin në duart, më 11 dhjetor të votojmë për jetën, për të kthyer fëmijët dhe nipërit tanë këtu, në Maqedoni. Të nderuar të rinj, e ardhmja dhe Maqedonia ju ju takojnë. Keni dy mundësi, njëra është flamuri i bardhë për të hequr duart duke vazhduar të punoni në anijet jashtë Maqedonisë, dhe tjetra, ta merrni flamurin e kuq dhe të luftoni me krenari këtu në vendin tuaj, në Maqedoni”,- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Zaev ftoi për votën për jetën në Maqedoninë e përbashkët. “Sot i dimë të gjitha. E dinë dhe zogjtë se nuk do të ketë regjim në katër vitet e ardhshme. Tani është momenti dhe po bie ora, mbetën tre ditë”,- tha Zaev, duke bërë thirrje mbrëmë nga Strumica, që qytetarët të votojnë për jetën dhe të ardhmen e  tyre.

Edhe kandidatët e tjerë të LSDM-së për deputetë kërkuan nga qytetarët që të votojnë për ndryshimin e madh, që, sipas tyre, vjen vetëm me votën për Koalicionin për një jetë të mirë në Maqedoni. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)