Maqedoni

Kryetari i RDK-së, Rufi Osmani, jep dorëheqje

02.05.2014 18:30

Duke bartur përgjegjësinë morale dhe menaxheriale për mosarritjen e përmbushjes së qëllimeve kombëtare dhe politike në krye të RDK-së...

Duke bartur përgjegjësinë morale dhe menaxheriale për mosarritjen e përmbushjes së qëllimeve kombëtare dhe politike në krye të RDK-së dhe në funksion të dhënies së mundësisë kuadrove të reja, që ta avancojnë aktivitetin politik të RDK-së, kryetari Rufi Osmani, sekretari Izet Zeqiri dhe nënkryetarët Artan Dika dhe Gikten Haziri ofruan dorëheqje të parevokueshme nga pozicionet udhëheqëse partiake dhe do  të vazhdojnë aktivitetin e mëtejshëm politik në strukturat e RDK-së.
 
Dorëheqja u është parashtruar anëtarëve të Kuvendit Qendror të RDK-së mbrëmë gjatë analizës se procesit zgjedhor. Pas kësaj dorëheqjeje të drejtuesve kryesorë të RDK-së, Kuvendi Qendror përcaktoi Këshillin e përkohshëm Drejtues. 
 
RDK-në deri në kongresin e partisë do ta koordinojnë Zenun Ismaili, Vesel Memedi dhe Binas Pajaziti. RDK vlerëson se Maqedonia dështoi në tërësi në organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
 
Sipas RDK-së, partitë në pushtet keqpërdorën resurset shtetërore, u mbështetën në burime financiare jolegale, diskriminuan opozitën në të gjitha drejtimet, listat zgjedhore nuk arritën të pastrohen nga votuesit fiktiv dhe sipas RDK-së, këto defekte strukturore, serioze, delegjitimuan në tërësi fushatën dhe procesin e votimit të 27 prillit.  
 
Kuvendi Qendror i RDK-së nuk pranon si legal dhe legjitim rezultatin e zgjedhjeve të 27 prillit për Parlamentin dhe rekomandon ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar për krijimin e një Qeverie të koalicionit të gjerë, më objektiv pastrimin e listës zgjedhore dhe organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike, si parakusht për rikthimin e demokracisë së mirëfilltë në vend, thonë nga RDK. 
 
ZEJXHANE OSMANI