Trajanov: Votoni për ndryshime në vend

09.12.2016 18:56

“Koalicioni për Ndryshime dhe Drejtësi”, i kryesuar nga Lidhja Demokratike.....

“Koalicioni për Ndryshime dhe Drejtësi”, i kryesuar nga Lidhja Demokratike, mbajti tubim në Aerodrom të Shkupit.

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, tha se ardhmëria e Maqedonisë është e kanosur dhe për këtë kërkoi nga qytetarët që ndryshimet t'i bëjnë së bashku. Ai premtoi pension minimal prej 200 euro, si dhe ndihma sociale prej 100 euro.

“Ju bëj thirrje të gjithëve, veçanërisht të papërcaktuarve, të bashkohen me ne, të votojnë për kandidatët për deputetë të “Koalicionit për Ndryshime dhe Drejtësi”. Kemi ekip me përvojë, profesionistë të lartë, njerëz me cilësi të lartamorale. Ky Koalicion do të sigurojë pluralizëm, sundim të së drejtës dhe qeverisje të qytetarëve. Vetëm me 15-20 deputetë do ta çmontojmë këtë regjim njëpartiak, i cili të rinjtë i detyron ta braktisin vendin. Ne do të sigurojmë pension minimal prej 200 euro dhe ndihmë sociale prej 100 euro, po ashtu do ta heqim testimin ekstern”,- deklaroi kryetari i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov.

Trajanov theksoi se do të angazhohen që Maqedonia të bëhet anëtare e plotfuqishme e NATO-s dhe BE-së pa e ndryshuar emrin kushtetues.

Në tubim fjalim mbajtën edhe bartësja e listës së kandidatëve në Njësinë zgjedhore tre, Vesna Stoimenovska, bartësi i Njësisë zgjedhore dy, Jove Kekenovski, dhe bartësi i Njësisë Zgjedhore katër, Sllobodan Bogoeski. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)