Të drejtat e njeriut, OKB: Viti 2016, vit katastrofik
Viti 2016 ishte një vit katastrofik për të drejtat e njeriut....

Viti 2016 ishte një vit katastrofik për të drejtat e njeriut. Në këtë përfundim ka mbërritur Organizata e Kombeve të Bashkuara, që thotë se këto parime universale janë nën një presion të pashembullt dhe retorika fashiste po shihet gjithnjë e më shumë si normale.
“Nëse erozioni i sistemit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit i ngritur me aq mund e kujdes në dekada të tëra punë vazhdon me këto ritme, të gjithë do të vuajnë në fund”,- thotë komisioneri i OKB-së për të drejtat e njeriut, Zein Bin Raad.
Në deklaratën e komisionerit theksi u vu tek konfliktet në Lindjen e Mesme, trazirat në Afrikën e Veriut, valët emigratore dhe gjuhën gjithnjë e në rritje kundër refugjatëve në Perëndim, veçanërisht në Europë.
Komentet e tij paralajmërojnë përhapjen me shpejtësi të dallgës së populizmit që nisi me Brexit, vazhdoi me fitoren surprizë të Donald Trump në Shtetet e Bashkuara dhe humbjen e Matteo Renzit në referendumin për ndryshimet kushtetuese.
