Lavrov: Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, hap i ngutshëm

09.12.2016 19:46

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, vlerëson se “po bëhen përpjekje...

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, vlerëson se “po bëhen përpjekje të ngutshme për ta tërhequr Malin e Zi në NATO”, para se në muajin janar të përfundojë mandati i presidentit amerikan, Barack Obama.

Duke folur sot në Hamburg të Gjermanisë, ku po mbahet një takim i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), Lavrov theksoi se “ne nuk po ndërhyjmë në këtë proces, por mendoj se joatraktiviteti i këtyre përpjekjeve të ngutshme është i qartë për çdokënd”.

Sipas tij, NATO-ja duhet të “mbajë konsultime” me popullin e Malit të Zi lidhur me anëtarësimin e këtij vendi ballkanik në aleancën veriatlantike. NATO-ja i ka dërguar ftesë Malit të Zi për pranim në dhjetor të vitit 2015, ndërsa në muajin maj është nënshkruar protokolli i pranimit. Procesi i ratifikimit të anëtarësimit të Malit të Zi do të përfundojë në pranverë të vitit 2017.