Maqedoni

THAÇI: Nuk jap dorëheqje, atë e kërkojnë tradhtarët e PDSH-së

02.05.2014 18:34

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ka realizuar sot takim me ambasadorin amerikan, Pol Volers...

Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, ka realizuar sot takim me ambasadorin amerikan, Pol Volers, ku është biseduar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
 
Thaçi ka njoftuar ambasadorin amerikan se PDSH-ja vlerëson që procesi zgjedhor ka qenë tërësisht i parregullt. Sipas kreut të PDSH-së, është biseduar edhe për formimin e Qeverisë së re, me ç’rast  Thaçi ka shprehur brengë për procesin eurointegrues të vendit.  
                                                       
“Ishte një takim i rregullt me ambasadorin amerikan, ku u bisedua për çështjen e zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve parlamentare. Unë i rendita me përpikshmëri të gjitha parregullsitë të cilat i ka bërë oponenti ynë politik, BDI-ja. Ky proces për mua dhe PDSH-në është tërësisht i parregullt. Më pastaj u bisedua për mundësinë e formimit të Qeverisë së re të Maqedonisë. Unë shpreha të vetmen breng që e kemi si PDSH, mundësia e debllokimit të procesit integrues”, deklaroi kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi.
 
Duke komentuar kërkesën e ish-anëtarit të PDSH-së, Zijadin Selës, për dorëheqjen e tij Thaçi, tha se kur tradhtari i PDSH-së kërkon dorëheqjen e tij ai nuk e pranon atë.
 
“Nuk jap dorëheqje nëse këtë dorëheqje e kërkojnë tradhtarët e PDSH-së dhe armiqtë e PDSH-së, normalisht u nënshtrohem organeve të partisë dhe kjo do të jetë krejt e hapur. Seriozisht është biseduar për këtë çështje dhe unë nuk preferoj dramatizim të situatës, ne kemi kongresin edhe 10 muaj, kongresin e rregullt dhe në kuadër të një procedure të rregullt do t’i zgjedhim të gjitha çështjet që i kemi brenda partisë”, shtoi më tej Thaçi.
 
I pyetur se cilat janë gjasat që PDSH-ja të jetë pjesë e Qeverisë së re, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, tha se  ka realizuar takim me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskin, për përbërjen e re qeveritare, ku sipas Thaçit, asgjë nuk është definitive. 
 
SANIJE KASAMI