Maqedoni
Ahmeti: Negociatat për qeverinë e re pa eufori dhe dramacitet
02.05.2014 18:41
Me fitoren e shumicës së votave të shqiptarëve të Maqedonisë, jo gjithçka ka përfunduar për Ali Ahmetin.
Madje puna më e vështirë sapo ka filluar. Në një intervistë ekskluzive dhënë për televizionin A1 Report në Tiranë, lideri i BDI parashikon negociata të lodhshme me VMRO-DPMNE për formimin e Qeverisë së re.
Ai thotë se BDI do të këmbëngul në përmbushjen e kritereve për anëtarësimin në strukturat euroatlantike, siç është zgjidhja e emrit dhe gjatë negociatave do të përballen pikërisht platformat e dy partive fituese.

BDI tashmë duhet që këtë platformë ta përfshijë në programin qeveritar për të mos zhgënjyer votuesit shqiptarë.
“Duhet të jemi të vëmendshëm e te kujdesshëm, të mos zhvillojmë negociata në eufori, as negociata dramatike, por të dominojë arsyeja dhe logjika e ftohtë te palët, sepse palët që kanë fituar legjitimitetin e shumicës, kanë përgjegjësi për stabilitetin dhe paqen në vend dhe përforcimin e marrëdhënieve ndëretnike. Çdo devijim nga negociatat mund të ketë pasoja për mbarëvajtjen e proceseve në vend. Palët duhet të kenë parasysh proceset e rëndësishme para të cilave kërkohet urtësi, mençuri dhe gjakftohtësi, duke analizuar dhe vënë në drejtim çështjet që tani kërkojnë zgjidhje, siç janë: antarësimi në NATO dhe BE, zbatimi i MO-së dhe frymës së kësaj marrëveshjeje paqësore, si dhe zhvillimi ekonomik dhe investimet”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Qëndrimin e partisë më të madhe opozitare në vend, LSDM-së, Ahmeti e shikon si një lëvizje jo të duhur, pasi sipas tij, social-demokratët mund të bëhen faktor duke propozuar reforma të mëdha dhe jo duke shkaktuar turbullira politike.
“LSDM-ja ka dhjetëra tema shumë më të rëndësishme me të cilat mund të bëhet faktor në skenën politike, reformat në vend, në gjyqësi, media, anëtarësim në NATO dhe BE dhe nuk mendoj se ka gjetur pikën kyçe që të jetë faktor dhe të vë në lëvizje komunitetin ndërkombëtar. Por nëse LSDM-ja në agjendë ka reformat në gjyqësi, në media, anëtarësimin në NATO apo standardet të cilat na afrojnë me Evropën, kjo do të ishte një çështje krejtësisht tjetër”, theksoi më tej Ahmeti.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, pohon se Maqedonia ka marrëdhënie mjaft të mira me Shqipërinë dhe se kjo e fundit është një faktor stabiliteti në rajon. Sipas tij, në një të ardhme të afërt pritet bashkërendimi i mbledhjeve të përbashkëta të qeverive Shkup-Tiranë-Prishtinë.
LULJETA NDOKA