Maqedoni

Ka filluar procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni

11.12.2016 12:04

Që në orën 7 të mëngjesit të sotëm në Maqedoni ka nisur procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, i cili do të përmbyllet në orën 19.00...

Të drejtë vote kanë 1 milion e 784.416 qytetarë të cilët do të kenë mundësi të zgjedhin përbërjen e re parlamentare.
 
Në garë janë 11 parti dhe koalicione me 58 lista, të cilat numërojnë 1092 kandidatë për deputetë.
 
Për procesin e votimit të sotëm janë hapur 3 mijë e 480 vendvotime në gjashtë njësi zgjedhore. Në çdo njësi zgjedhore do të zgjidhen nga 20 deputetë. 
 
Zgjedhjet po vëzhgohen edhe nga 7 mijë e 585 vëzhgues vendorë dhe 667 vëzhgues ndërkombëtarë, përfshi edhe vëzhguesit e OSBE-ODIHR-it dhe Asociacionit qytetar MOST. Zgjedhjet po ndiqen edhe nga një numër i madh i mediave të huaja. Dje ka votuar diaspora dhe të burgosurit. 
 
Zgjedhjet e sotme janë të nëntat parlamentare dhe të katërtat të parakohshme. 
 
NAIM SINANI