Maqedoni
Zgjedhjet 2016, po votohet normalisht edhe në Kërçovë
11.12.2016 12:28
Procesi zgjedhor në komunën e Kërçovës deri në këto momente po zhvillohet normalisht...

Qendrat e votimit janë hapur në kohën e rregullt dhe ato janë të furnizuara me materialin e nevojshëm zgjedhor, bën të ditur kryetarja e Komisionit komunal zgjedhor të Kërçovës, Antigona Seferi.
“Edhe përfaqësuesit e komisioneve në disa vendvotime të fshatrave të Zajazit deklarojnë se procesi i votimit ka filluar mbarë dhe deri më tani gjithçka ka rrjedhur normalisht”,- deklaroi kryetarja e KKZ-së në Kërçovë, Antigona Seferi.
Të drejtën e votës në komunën e Kërçovës mund ta shfrytëzojnë 46 mijë e 434 votues, për të cilët janë hapur 120 qendra votimi. Sipas njësive zgjedhore, banorët e fshatrave të Zajazit dhe Osllomesë votojnë në njësinë e gjashtë zgjedhore, ndërsa ata të qytetit dhe disa fshatrave përreth tij në njësinë e pestë zgjedhore. Edhe në këtë cikël zgjedhor në komunën e Kërçovës e ndjekin vëzhguesit vendorë dhe ata ndërkombëtarë.
Në një njoftim të Komisionit komunal zgjedhor të Kërçovës bëhet e ditur se gjatë ditës së djeshme kanë votuar 250 persona të sëmurë, ndërkohë që nuk ka pasur asnjë kërkesë për votim nga ana e të arrestuarve apo të burgosurve.
SHABAN DALIPI
