Trump vë në dyshim politikën e një Kine
Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka hedhur dyshime nëse SHBA-ja....

Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka hedhur dyshime nëse SHBA-ja do të vazhdojë me politikën e njohjes së një Kine të vetme.
Sipas kësaj politike, Uashingtoni ka lidhje zyrtare me Pekinin, por jo me ishullin e Tajvanit, të cilin Kina e konsideron si pjesë të territorit të saj. Ky parim ka qenë thelbësor për marrëdhëniet amerikano-kineze për dekada me radhë. Por, në një intervistë për “Fox News“, Trump tha se nuk ka arsye që një politikë e tillë të vazhdojë nëse nuk do të ketë lëshime të rëndësishme nga ana e Pekinit.
“E di që SHBA ndjek politikën e një Kine të vetme, por nuk e kuptojmë pse duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë, përveçse në rastin nëse arrijmë një marrëveshje me Kinën“, tha Trump.
Presidenti i zgjedhur kujtoi gjithashtu se Kina nuk po bashkëpunonte me SHBA-në lidhur me menaxhimin e monedhës së saj, për Korenë e Veriut apo tensionet në Detin e Kinës Jugore.
