Maqedoni

“Transparency International”: Partitë shpenzuan më shumë se sa paraqitën

12.12.2016 14:51

“Transparency International” i ka shpallur rezultatet e dyta preliminare për shpenzimet e partive politike për fushatën zgjedhore...

Në bazë të raporteve të tyre financiare, prej 1 deri më datën 9 dhjetor, të gjitha partitë politike kanë shpenzuar 2 herë më shumë para se sa që kanë pasur të ardhura të paraqitura në raportet financiare.
 
“Sipas raporteve zyrtare të dorëzuara nga partitë politike konstatuam se ata së bashku kanë shpenzuar 2 herë më shumë para se sa që kanë paraqitur të ardhura për këtë fushatë zgjedhore. Të gjitha partitë politike së bashku kanë paraqitur të ardhura prej 88 milionë e 314 mijë denarë, ndërsa kanë shpenzuar 195 milionë e 501 mijë denarë”,- deklaroi Slagjana Taseva nga “Transparency International”.
 
VMRO-DPMNE për 10 ditë fushatë ka shpenzuar plot 117 milionë e 212 mijë denarë, kurse ka paraqitur 18 milionë e 131 mijë denarë, që i bie 100 milionë denarë më shumë.
 
LSDM ka paraqitur 37 milionë e 497 mijë denarë, ndërsa ka shpenzuar 33 milionë e 923 mijë denarë, BDI ka paraqitur rreth 12 milionë denarë, ndërsa ka shpenzuar 22 milionë denarë, ndërsa Lëvizja BESA ka paraqitur rreth 6 milionë denarë e ka shpenzuar 8 milionë e 725 e 348 mijë denarë.
 
Të gjithë partitë në këto zgjedhje kanë qenë të përqendruara për promovim në televizione. 
 
“Sa i përket reklamimit në televizione, më së shumti ka shpenzuar KShZ për informimin e qytetarëve rreth procesit zgjedhor, ndërsa i dyti sipas lartësisë së shpenzimeve në TV është Koalicioni i LSDM-së, me 26 milionë e 968 mijë denarë, më pas vijon Koalicioni i VMRO-DPMNE-së me 24 milionë dhe BDI me 15 milionë denarë”,- tha Sllagjana Taseva nga  “Transparency International”.
 
Nga “Transparency International” janë në pritje se si këto shpenzime të paparaqitura të partive do t’i mbulojnë në raportet e ardhshme financiare dhe më pas ata paralajmëruan raport përfundimtar.
 
REXHEP QAMILI