Maqedoni
Jashari për zgjedhjet e parakohshme: Surprizë, po krijohet një klimë e re politike; Malevski: Maqedonia, nga monopoli po kalon në pluralizëm
12.12.2016 18:04
Analistët e vendit e vlerësojnë procesin e djeshëm të votimit më të mirin të organizuar ndonjëherë...

Analisti, Hasan Jashari, thotë se rezultati i ngushtë është surprizues, duke sjellë një frymë të re dhe shqiptarët mirë po përfaqësohen në parlament.
Denko Malevski konsideron se Maqedonia nga monopoli i ushtrimit të sundimit politik po hyn në pluralizëm.
“LSDM ka bërë një kërcim të madh kualitativ dhe kuantitativ, dhe Lëvizja BESA, e cila ka habitur të gjithë. Prej një partie që dikush e ka quajtur si parti e vogël, të vijë dhe të sfidojë BDI-në. Deri më tani lirshëm mund të them se shqiptarët e Maqedonisë kanë përfaqësim në parlament”,- deklaroi analisti, Hasan Jashari.
“Është shkatërruar monopoli mbi pushtetit politik të cilin e kishin dy partitë, të cilat në parlament mund të miratonin lloj-lloj ligjesh pa konsultuar askënd. Pa marrë parasysh se cili do të jetë epilogu, cila parti do të formojë qeveri, nuk do të kemi situatën paraprake. Nga sistemi i monopolit në qeverisje po hyjmë në pluralizëm”,- tha analisti, Denko Malevski.
Analistët, Jashari dhe Malevski, shprehen skeptik sa i përket formimit të qeverisë së ardhshme. Jashari thotë se zgjedhjet mund të përsëriten në prill, ndërkaq Malevski thotë se në rast se Gruevski nuk arrin të formojë qeverinë, shansi kalon në duart e Zaevit.
“Do të jetë vështirë, duke e pasur parasysh faktin se janë rezultate të pastra, nuk mund të kemi një qeveri stabile, nuk mund të kemi votim të ligjeve ku nuk ka kuorum, do të jetë problemi i kuorumit. Andaj mendoj se në muajin prill gjithsesi do të kemi zgjedhje të reja me zgjedhjet lokale”,- theksoi analisti, Hasan Jashari.
“Pritet të shihet se a do të mund që VMRO të formojë qeveri mjaft të fuqishme që të udhëheqë me shtetin. Në rast se ai nuk ka sukses në afatin e caktuar që parashikon kushtetuta, atëherë i dyti me radhë, dhe kjo është LSDM, do të marrë mandatin dhe udhëheqësi i saj do të përpiqet të formojë qeveri”,- u shpreh analisti, Denko Malevski.
Votimi i djeshëm ndikoi që katër partitë, VMRO, LSDM dhe BDI e Lëvizja BESA të dalin fituese me një diferencë të ngushtë në bllokun maqedonas, gjë që i pamundëson VMRO-së komoditetin e formimit të qeverisë pa negocime me partitë shqiptare.
MERAL ISMAILI
