Maqedoni
OSBE/ODIHR: Zgjedhjet u administruan mirë, pa incidente të mëdha
12.12.2016 18:11
Misioni i OSBE/ODIHR-it procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni e ka vlerësuar kryesisht në rregullt, të administruar mirë dhe pa incidente të mëdha...

Zgjedhjet parlamentare në Maqedoni ishin konkurruese dhe thelbësore për zgjidhjen e krizës së thellë politike në vend, vlerësuan nga ky mision.
“Pjesëmarrja e lartë dëshmon se votuesit e kuptuan rolin vendimtar që e ndërmarrin zgjedhjet e lira për të ardhmen e vendit të tyre. Zgjedhjet ishin hap i rëndësishëm për zgjidhjen e krizës dhe çështjeve tjera që duhet të zgjidhen. Zgjedhjet gjeneralisht ishin mirë të administruara. Kishte disa raste kur votuesit nuk mund ta gjenin veten në lista. Lëshimet ligjore duhet të gjejnë përgjigje. Gjatë fushatës vërejtëm trysni ndaj administratës, disa raste edhe vetë i vërtetuam”,- deklaroi koordinatori special i OSBE/ODIHR,-it Roberto Battelli.
"Këto zgjedhje ishin ndryshe. Gjetja e marrëveshjeve dhe puna fillon pas zgjedhjeve, presioni ndaj administratës duhet të ndalet urgjentisht, protagonistët politik duhet të përpiqen për rekomandimet e BE-së. Komunitetet e ndryshme etnike tanimë dhanë provë gjatë protestave të verës së kaluar, se bashkëpunimi drejt qëllimit të përbashkët politik, është e mundur. Tani, tërë vendi duhet të zëvendësojë ndarjen etnike me bashkëpunim për ndërtim të kombit”,- tha përfaqësuesi i Këshillit Europian, Stefan Shenesh.
"Kushtet e Marrëveshjes së Përzhinës duhet të plotësohen. Duhet të përmirësohen kushtet në media. Qeveria e ardhshme dhe Kuvendi duhet të jenë më të përgjegjshëm dhe ta kthejnë vendin kah BE”,- theksoi Igor Sholtes nga Parlamenti Europian.
"Procesi zgjedhor ishte pozitiv. Vlerësojmë se ky është hap thelbësor për zgjidhjen e krizës. Duhet të punohet në çështjen e mediave. Balancë kishte vetëm te Radiotelevizioni shtetëror, por jo edhe te mediat private. Kemi shënuar vërejtje për financimin e fushatës. Duhet ende punë. Rregulloret për media duhet të forcohen. Ka hapësirë edhe shumë gjëra për të përmirësuar",- u shpreh Tana de Zulueta nga OSBE/ODIHR.
Në deklaratën e rezultateve dhe konkluzioneve paraprake të Misionit Ndërkombëtar për Vëzhgimin e Zgjedhjeve thuhet se dita e zgjedhjeve u administrua mirë në përgjithësi dhe u zhvillua pa incidente të mëdha.
Në këtë raport paraprak theksohet se përderisa fuqitë kryesore politike u dakorduan për një seri të ndryshimeve ligjore dhe institucionale për të siguruar një fushëlojë të niveluar, çështjet themelore të tilla si në lidhje me mediat dhe regjistrimin e votuesve duhet ende të trajtohen në mënyrë të qëndrueshme.
Sipas tyre, aktivitetet e komisionit nuk ishin gjithmonë transparente, pasi që shpeshherë mbante seanca të mbyllura dhe jo gjithmonë publikonte vendimet.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
