Maqedoni

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, BEJLI: Zgjedhje të qeta, me disa parregullsi

12.12.2016 18:13

Ambasada e ShBA-ve ndan mendimin e njëjtë me OSBE-ODIHR-in për zgjedhjet e parakohshme parlamentare...

Ambasadori amerikan, Xhes Bejli, tha se zgjedhjet janë mbajtur në atmosferë të qetë, me vetëm disa parregullsi procedurale. 
 
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i përshëndesin të gjithë qytetarët të cilët e kanë realizuar të drejtën e tyre të votës dhe kanë votuar më 11 dhjetor. Përshëndetëm edhe vlerësimin preliminar të OSBE-ODIHR-it se zgjedhjet ishin kompetitive dhe se ishin respektuar të drejtat fondamentale. Jehona e votuesve ishte në nivel, ndërsa zgjedhjet u realizuan në mënyrë të qetë, të shoqëruara nga disa parregullsi procedurale. Shprehim brengosjen e ekipit monitorues të Ambasadës amerikane për përgatitjen administrative të zgjedhjeve dhe i bëjmë thirrje qeverisë së ardhshme të vazhdojë të punojë në ndërtimin e kapaciteteve të KShZ-së për t’i zgjidhur kontestet dhe çështjet strukturore dhe juridike që kanë të bëjnë me listën zgjedhore”,- deklaroi ambasadori i ShBA-ve në Maqedoni, Xhes Bejli.
 
Ambasadori Bejli gjithashtu tha se zgjedhjet e 11 dhjetorit ishin një hap i rëndësishëm për daljen e Maqedonisë nga kriza politike. 
 
“I inkurajojmë partitë që do ta formojnë qeverinë e ardhshme të kenë një bashkëpunim konstruktiv me opozitën, me qëllim të realizimit të reformave që mundësojnë vazhdimin e procesit eurointegrues, me theks të sundimit të së drejtës”,- tha ambasadori i ShBA-ve në Maqedoni, Xhes Bejli.
 
SHBA-të, shtoi ambasadori amerikan, Xhes Bejli, si dhe përfaqësueset e tjera të Bashkësisë Ndërkombëtare, mbeten partnerë të Maqedonisë, me qëllim të realizimit të prioriteteve. Bejli nuk deshi të komentojë rezultatet e zgjedhjeve pa u prononcuar fillimisht KShZ-ja, e cila duhet t’i tregojë rezultatet preliminare.     
 
MERITA GASHI