Siri, OKB: Ndaloni mizoritë ndaj civilëve

13.12.2016 11:15

Në kushtet kur në Siri janë intensifikuar përplasjet e armatosura mes forcave qeveritare dhe rebelëve...

Në kushtet kur në Siri janë intensifikuar përplasjet e armatosura mes forcave qeveritare dhe rebelëve, Organizata e Kombeve të Bashkuara ka bërë thirrje që t’u jepet fund mizorive ndaj qytetarëve të pafajshëm.
 
Nëpërmjet një komunikate zyrtare, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, u ka bërë thirrje palëve që të bëjnë të pamundurën për të mbrojtur civilët. Në deklaratën e sekretarit thuhet gjithashtu se Organizata po e vëzhgon me shqetësim përshkallëzimin e situatës, e në veçanti në qytetin e Alepos.
 
Në këtë zonë, ka pasur një përshkallëzim të luftimeve, teksa forcat qeveritare që mbështeten nga ato ruse kanë arritur që të përparojnë ndjeshëm. Në bazë të komunikatave që vijnë nga Ministria e Mbrojtjes së Rusisë, ushtria e presidentit, Bashar al-Assad, ka arritur që të marrë nën kontroll 98% të territoreve që kontrolloheshin nga rebelët.
 
Rimarrja nën kontroll të plotë e qytetit të Alepos do të përbënte një arritje të madhe për forcat qeveritare si dhe disfatën më të madhe për rebelët që kundërshtojnë qeverinë Assad. Por, pavarësisht deklaratave të OKB-së për situatën në Siri, zyrtarët rusë thonë se që prej nisjes së operacioneve ushtarake për Alepon, Qendra ruse e Pajtimit, e cila po operon në këtë zonë, ka arritur që të strehojë afro 100.000 persona, ku mes tyre përfshihen 40.000 fëmijë.
 
Këtyre individëve u është dhënë një strehë e përkohshme, ujë, ushqim, medikamente dhe sende të tjera të nevojës së parë. 
 
Mediat kanë raportuar se Moska dhe Uashingtoni kanë rinisur negociatat për t’i dhënë fund konfliktit që ka përfshirë Lindjen e Mesme që prej afro 6 vitesh.
 
LEUNORA KALIQI