Maqedoni

Sezoni i gripit, mjekët rekomandojnë ushqim të shëndetshëm

13.12.2016 16:36

Sezoni i gripit veç më ka filluar dhe tek njerëzit paraqiten edhe simptomat e gripit ose të ftohjeve...

Sezoni i gripit veç më ka filluar dhe tek njerëzit paraqiten edhe simptomat e gripit ose të ftohjeve, por ende nuk ka shifra alarmante të rasteve të komplikuara me grip, thonë mjekët.
 
Ata na sugjerojnë që t’i kushtojnë rëndësi parandalimit të sëmundjeve virusale që janë ngjitëse, me rritjen e imunitetit, ushqimit të shëndetshëm me pemë dhe perime, ndërsa në rast të shfaqjes së simptomave të gripit të konsultohemi me mjekun amë.
 
“Më së shumti u drejtohem grupeve të rrezikuara të popullatës, fëmijëve të vegjël prej 5-6 vjeç, si dhe më të moshuarve që janë me imunitet më të dobët, të kenë kujdes personat që nuk janë të vaksinuar nga virusi i gripit, para së gjithash ta rrisin imunitetin me ushqim të shëndetshëm me më shumë perime, shëtitje, por jo ku ka shumë njerëz, që t’i evitojmë infeksionet e mundshme dhe secili simptom i paraqitur, edhe atë me ngritje të temperaturës që mund të arrijë deri në 40 gradë, lodhje të trupit, kokëdhimbje, tek fëmijët më shumë me humbje të lëngjeve, të vjella, infeksione respirative, kollitje. Personat me këto simptoma mos të marrin antibiotikë pa nevojë, por të bëhet pasqyra e gjakut, që të shihet ndonjë infeksion bakterial dhe pastaj mjeku ta përcaktojë terapinë e duhur dhe duhet disa ditë të izolohet personi deri në përmirësim”,- deklaroi udhëheqësja në Ndihmën e Shpejtë, Anita Dimoska.
 
Shfaqja e gripeve kulminacionin e arrin më së shumti në muajin janar dhe shkurt, thonë mjekët. Ata apelojnë që në rast të komplikimeve më të rënda, pacientët të paraqiten në linjën telefonike në 194. 
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI