ShGM përshëndet qëndrimin e MMN-së për mediat

13.12.2016 17:03

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë përshëndet konstatimet fillestare të Misionit Monitorues...

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë përshëndet konstatimet fillestare të Misionit Monitorues Ndërkombëtar për zgjedhjet e 11 dhjetorit në Maqedoni, me të cilat qartë konstatohet se partitë politike nuk e kanë përmbushur detyrimin nga Marrëveshja e Përzhinës për reforma thelbësore në media.

Monitoruesit ndërkombëtarë e konfirmuan qëndrimin e ShGM-së se etika gazetareske nuk mund të imponohet në media me dënime ligjore. Ata me të drejtë konstatojnë se televizionet kombëtare Sitell, Kanal 5 dhe Alfa nuk kanë siguruar raportim të balancuar dhe të paanshëm në lajmet e tyre dhe në mënyrë të hapur kanë përkrahur partinë në pushtet, VMRO-DPMNE-në.

Edhe pse këto media kanë ndarë në mënyrë të barabartë hapësirën mediatike për pjesëmarrësit në zgjedhje, kanë raportuar me ton pozitiv për pushtetin, ndërsa për opozitën më së shpeshti me ton negativ.

Monitoruesit me të drejtë vlerësojnë se zgjidhja e re ligjore për mediat është joefikase për shkak të mospërputhjes së saj dhe mandatit jo të qartë të Komisionit të përkohshëm për ndjekjen e raportimit të mediave 100 ditë para zgjedhjeve.

Ata potencojnë se edhe pse Komisioni ka propozuar 57 procedura ndëshkuese kundër mediave për raportim jo të balancuar, fushatë të fshehtë të funksionarëve qeveritarë dhe marketing të paguar politik, gjykata është prononcuar vetëm për dy lëndë, të cilat i ka hedhur poshtë si të pabaza.

Monitoruesit gjithashtu nënvizojnë edhe dukurinë e vetëcensurës dhe mungesës së pavarësisë së politikës redaktuese të mediave, për shkak të interesave politike dhe biznesore të pronarëve, ndërsa kanë regjistruar edhe raste kur përfaqësues të partisë në pushtet kanë kërcënuar redaktorë të lajmeve. (Gyltene Sinani, TVM2)