Maqedoni
Gruevski: VMRO-DPMNE shënoi fitoren e dhjetë; Zaev: E mundëm regjimin me laps dhe votë
13.12.2016 17:43
Kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dhe ai i LSDM-së, Zoran Zaev....

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, dhe ai i LSDM-së, Zoran Zaev, të dy pretendentë për mandatin e kryeministrit, shpallën fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit.
Gruevski dha mesazhin për formimin e shpejtë të qeverisë dhe vazhdimin e punës në fushën e ekonomisë, zbatimin e reformave, përfshi edhe ato për anëtarësim në NATO dhe BE. “Kemi premtuar shumë në programin tonë dhe na duhet shumë energji për ta zbatuar atë.”- tha Gruevski gjatë paraqitjes së parë, pas shpalljes së rezultatit zgjedhor.
“VMRO-DPMNE shënoi fitoren e dhjetë dhe mbështetjen e dhjetë të shumicës së qytetarëve në RM. Ne gjithsesi se do t’u qasemi bisedimeve për koalicion, bisedimeve për formimin e qeverisë dhe përfundimisht duhet të krijojmë kushte që kriza në RM të përfundojë. Populli këtë e pret nga ne. Janë lodhur nga kriza dhe ata që e krijuan atë. Përfundimisht duhet të kthehemi në rrugën e ekonomisë, në rrugën e hapjes së vendeve të reja të punës në Maqedoni. Rritjen e pagave, pensioneve, subvencioneve dhe projekteve me të cilat do të zgjidhen problemet e të gjithë qytetarëve në RM”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Mirëpo kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, konsideron se shumica e qytetarëve të Maqedonisë janë deklaruar kundër, siç tha ai, “regjimit të Gruevski” dhe se ky vullnet nuk guxon të nëpërkëmbet nga partitë e tjera politike që kanë fituar mandate në kuvend.
“Mundëm regjimin me laps dhe votë. E unifikuam Maqedoninë multietnike. Regjimi nuk guxon të formojë qeveri. Porosisim të gjitha partitë që fituan mandate deputetësh nga qytetarët, përveç VMRO-DPMNE-së, që të mos mendojnë të prishin vullnetin e shprehur qartë të shumicës së qytetarëve të Maqedonisë, vullnetin për ndryshime. Nikolla Gruevski nuk guxon të bëjë qeveri në RM, pasi rezultatet fillestare i hutuan qytetarët. Theksoj se rezultatet përfundimtare ende nuk janë shpallë. Ka dallime në rezultatet nga procesverbalet në vendvotime dhe rezultatet që shpalli KShZ për vendvotimet e njëjta”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaev tha se për shkak të parregullsive, për të cilat kanë njoftuar edhe vëzhguesit e zgjedhjeve, do të parashtrojnë kundërshtime në KShZ, kështu që pasqyrën e vërtetë për mandatet e fituara do ta jep rezultati përfundimtar. Ai kërkoi transparencë nga KShZ dhe institucionet e tjera përkatëse gjatë shqyrtimit të kundërshtimeve dhe ankesave të LSDM-së.
SHPËTIM NUREDINI
